Platini: Luftë klubeve të zhytura në borxhe
Presidenti i UEFA-s, francezi Mishel Platini, vazhdon fushatën e tij kundër borxheve në klubet europiane, duke pasur në fokus sidomos klubet angleze. Në një intervistë ekskluzive për "Daily Telegraf", Platini citon si shembull Interin, "Cili do të ishte ai i marrë që do të bënte të tilla shpenzime jo normale për të marrë një shoqëri me një debit të thellë financiar?" Platini shton se duhen ndihmuar klubet me një bilanc pozitiv, ndërsa nënvizon: "Duhen vendosur rregulla për t‘u mbrojtur nga investimet që bëjnë Roman Abramoviç, Masimo Morati dhe Malkolm Glazer. Kriteri për të marrë pjesë në kompeticionet tona nuk duhet të jetë për atë që shpenzon më shumë. Të gjithë pronarët duhet të udhëhiqen nga filozofia më e mirë, ajo e të qenit transparent. Në Gjermani debiti luftohet, në Angli jo". Numri 1 i UEFA-s, është i bindur se rregulla të reja duhet të vendosen për investitorët potencialë. "Nuk jam ekonomist, por përdor logjikën", thekson më tej Platini, që uron që futbolli europian të mos ndjekë shembullin e atij anglez, ku 10 nga 20 klubet në Premier League, janë në duart e pronarëve të huaj. "Më pëlqen kur investimi bëhet nga pronarët vendas. Anglezët kanë nevojë për të përmirësuar ligjet për pronarët e huaj, duke njohur përvojën e Gjermanisë, ku një pronar jo gjerman nuk mund të kontrollojë më shumë se 50% të shoqërisë. Më pëlqen modeli i Barcelonës, ku aksionerë janë tifozët, që pengojnë të drejtuarit e klubit nga pronarë të huaj". Kundër Platinisë ka reaguar menjëherë presidenti i Interit, Masimo Morati: "Platini po gabon rëndë, ne nuk kemi borxhe".