Ruçi e Dokle thyejnë heshtjen e PS-së, Nano: Kontribut në histori

Dokle e Ruçi dje gjatë ceremonisë, Foto: Vlasov Sulaj
Për disa diktatori i fundit, për të tjerë presidenti i parë i pluralizmit, por për shumicën e personave që morën pjesë dje në homazhet dhe varrimin e Ramiz Alisë, ai ishte një mik i mirë. Të ardhur kryesisht nga rrethet e Shqipërisë, por edhe nga Kosova e Maqedonia, ata mbajtën radhë për ti dhënë lamtumirën të ndjerit, ndryshe nga politikanët e paktë që arritën të fundit dhe ikën të parët. Ndryshe ishte dje edhe për ish-bllokmenët, që pas heshtjes për dy ditë me radhë dhe mungesës së vizitave në shtëpinë e familjarëve Alia, u shfaqën dje të penduar në homazhet që u zhvilluan në Qendrën Kulturore të Ushtrisë. Bëra gabim që nuk vajta për ngushëllim në shtëpinë e shokut Alia, e di, por jam këtu për tu korrigjuar. Unë dhe ish-anëtarët e tjerë të Byrosë Politike nuk jemi më në gjendje të mirë shëndetësore dhe shumica jetojmë në rrethe. Për moshën e thyer që kemi, ne edhe na falet, sepse sot ja ku jemi, të gjithë këtu. Po këta bllokmenët e rinj, politikanët socialistë, por edhe ata demokratë, që ai i ngriti, ku ishin këto tri ditë dhe ku janë? Ku janë zyrtarët që duhet ta kishin nderuar sot shokun Ramiz si President, pyet ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, dhe aty për aty, përgjigjjen e jep po vetë: Kanë frikë të vijnë këtu, ca nga Rama e ca nga Berisha. Prapë se prapë, ne shokët e vjetër erdhëm. Për nga mosha e pjesëmarrësve në ceremoni, duket se ish-sekretari i parë për Durrësin dhe Shkodrën, Asllani, ka të drejtë, ashtu si edhe për ish-kolegët. Në radhën e gjatë, ish-ministret Tefta Cami dhe Themie Thomai mbajnë tufa lulesh në duar, ndërsa ish-nënkryetarja e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Mine Guri, e ardhur posaçërisht nga Berati, takohet me familjen. Fjalë të shkëputura dëgjohen mes tyre, por ajo çfarë lë të kuptohet nga biseda, duket se Vito Kapo nuk ka qenë mirë me shëndetin për të ardhur në homazhe. E njëjta arsye që u përdor edhe për Nexhmie Hoxhën, e cila kishte deleguar djalin Ilir dhe bashkëshorten Teuta. Kjo e fundit, njëkohësisht edhe mbesa e Ramiz Alisë. Edhe pse ishte një ceremoni e planifikuar si zyrtare, përveç katër rojave të nderit (tokësore e ajrore) dhe një kurore me lule nga Presidenca, asnjë element tjetër nuk të linte një përshtypje të tillë. Arkivoli i të ndjerit ishte vendosur në mes të sallës dhe ishte lënë paksa hapur, ku dallohej qartë fytyra e munduar dhe shenjat e mbetura mbi të, të shkaktuara nga tentativat e fundit mjekësore për ta mbajtur në jetë. Në krah të djathtë, qëndronin familjarët më të afërt me bashkëshortët e tyre, tre fëmijët, Zana, Besa dhe Arbeni, dy motrat, nipërit e mbesat, drejt të cilëve shkuan të gjithë pjesëmarrësit për ngushëllime. Minutë pas minuti, lulet u shtuan pranë trupit të pajetë të Alisë, ku spikatnin për nga madhësia e kurorave trëndafilat e kuq të ish-kryeministrit Fatos Nano, ato bardhë e kuq të liderit të LSI-së, Ilir Meta dhe ato krejt të bardhë të Presidentit aktual, Bamir Topi. Dy të parët i vunë vetë, duke mbajtur edhe fjalimet përkatëse, i treti i kishte deleguar në heshtje Ashtu siç ishte parashikuar, homazhet zgjatën për një orë dhe rënia e kambanave të Kishës Katolike aty pranë, përkoi me mbarimin e ceremonisë. Pa të shtëna armësh, pa bandë, pa lojëra të truprojave të nderit, por me një duartrokitje të gjatë nga të pranishmit, trupi i të ndjerit u nxor nga salla në orën 11:00. Çuditërisht, jashtë prisnin dy makina funerali, ku njëra u përdor për transportin e trupit dhe tjetra për lulet. Kështu, pas një ore homazhesh, kortezhi i gjatë i automjeteve u nis për në varrezat e Sharrës, për të çuar drejt banesës së fundit ish-presidentin e parë pluralist, por edhe amanetin e tij. Atje, pas një falënderimi të shkurtër për pjesëmarrësit nga ana e djalit të Alisë, Arbenit dhe një fjalimi të Pëllumb Xhufit si historian, i ndjeri u varros pranë nënës së tij dhe bashkëshortes Semiramis. Ashtu siç edhe ishte dëshira e tij e fundit.
Nano: Alia, kontribut në historinë tonë

Nano, dje gjatë homazheve
Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, vlerësoi dje kontributin e Ramiz Alisë në etapa të rëndësishme, sipas tij, të historisë. Nano nuk preferoi të jepte një ngushëllim me shkrim për ish-presidentin e parë pluralist në Shqipëri, por ishte vetë dje në Shtëpinë e Ushtarakëve për të bërë homazhe për ndarjen nga jeta të Ramiz Alisë. Në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj, të shprehet respekt për kontributet e personaliteteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe të rindërtimit të vendit pas saj. Në rastin e homazheve, për presidentin Alia dua të shpreh vlerësimin tim për kontributet e tij në etapat e rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit dhe të demokracisë që gëzojmë sot, u shpreh Nano në përfundim të homazheve. Ish-kreu i PS-së vendosi një kurorë pranë arkivolit të Ramiz Alisë, me mbishkrimin Ramiz Alisë, për kontribute historike të rëndësishme!. Fatos Nano, i cili shoqërohej nga miku dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Ilir Kulla, pasi takoi të gjithë të afërmit dhe familjarët e ish- presidentit Alia, qëndroi për pak sekonda, më shumë se çdo tjetër, pranë trupit të pajetë e më pas u largua që tu lërë radhën dhe qytetarëve të tjerë për të bërë homazhet. Nano është përshëndetur gjatë homazheve të djeshme nga shumë veteranë dhe socialistë, të cilët kishin mbërritur për të bërë homazhet për ish-drejtuesin e fundit të sistemit komunist në Shqipëri. Marrëdhënia e Fatos Nanos me Ramiz Alinë daton që gjatë kohës kur Nano ishte nëndrejtor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste e më pas u emërua nga Alia si sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, e cila drejtohej nga Adil Çarçani. I spikatur si politikan dhe ekonomist i njohur, në kohën e përpjekjeve për të ndryshuar imazhin e qeverisë socialiste, e cila do të ndërmerrte reforma të thella rinovimi, Ramiz Alia, në atë kohë sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, emëron Nanon kryeministër të qeverisë së asaj kohe, derisa në krye të qeverisë do të vinte Ylli Bufi në qeverinë e përkohshme, deri në zgjedhjet e para pluraliste. Por, Ramiz Alia do ta propozonte Fatos Nanon për kryetar të Partisë Socialiste të Shqipërisë në qershor 1991, e cila ishte vazhduese e Partisë së Punës. Nano dhe Alia do të përfundojnë të dy në burg nga presidenti Berisha, i pari për korrupsion me ndihmat italiane në Shqipëri dhe i dyti për shpërdorim detyre, bashkë me byroistë të tjerë si udhëheqës të shtetit komunist.
Kreu i LSI, në homazhet për ish-Presidentin
Meta: I pari që dha dorëheqjen, pasi partia e tij humbi zgjedhjet

Meta, dje gjatë