E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ruçi në shërbim të klikës së ndërtuesve dhe mafiozëve"

09/07/2009  Kreu i LSI-së shpërthen ndaj lidershipit të PS-së

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka vonuar tu kundërpërgjigjet, edhe pse në distancë akuzave të ardhura nga përfaqësuesit socialistë në adresë të tij. Konkretisht, duke mos pranuar epitetin “tradhtar” të vënë nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së Gramoz Ruçi, Ilir Meta jo vetëm që nuk kurseu akuzat ndaj tij, por dhe shprehu edhe një herë arsyet se pse erdhi ndërmarrja e një hapi të tillë për të bashkëqeverisur me demokratët. Kështu, gjatë një interviste për BBC-në, duke u ndalur në atë çfarë ka deklaruar Ruçi, Meta u shpreh se “shprehje të tilla si tradhtar janë të denja për një politikan të politikës së re si Gramoz Ruçi, i cili ka qenë një ndër ekzekutorët kryesorë të skenarit të zotit Rama për asgjësimin korruptiv të LSI-së gjatë këtij procesi zgjedhor”. Në gjykimin e tij tradhti është që në këto momente të rëndësishme të inskenosh destabilizim të vendit, sikurse bën Ruçi dhe sikurse u përpoq të bënte dhe në Fier pas zgjedhjeve. “Tradhti ndaj së majtës është të vazhdosh ti shërbesh një klike ndërtuesish dhe mafiozësh në PS, sikurse bën Gramoz Ruçi, dhe jo të reflektosh për këtë humbje të thellë, e cila më shumë sesa numerike është morale dhe politike, pasi një parti e tërë, me vlera shumë të mëdha si PS-ja, u bë pjesë e një basti personal të Edi Ramës, që nuk ka asnjë lidhje me vlerat tradicionale të PS-së”, - vuri në dukje Meta gjatë fjalës së tij. Po në këtë linjë, Meta i mëshoi me forcë faktit se “ne do të ecim përpara pa u kushtuar vëmendje folklorizmave të tilla, qoftë kur vijnë nga zoti Ruçi, qoftë kur vijnë nga zoti Rama, sepse besojmë se kjo është rruga që ndihmon dhe PS-në që tu rikthehet atyre vlerave të demonstruara në 18 vjet, por të mohuara gjatë viteve të fundit të një lidershipi pa identitet”. Ndërkohë, ndalur te zërat që nuk e kanë mirëpritur një bashkëpunim të tillë, Meta nënvizoi se “kjo vjen jo vetëm për prapambetjen që ka një pjesë e politikës shqiptare, por mbi të gjitha ky është një dëshpërim që vjen nga dështimi i një përpjekjeje për të kontrolluar të gjitha pushtetet në Shqipëri. LSI-ja nuk pranoj të bëhej pjesë e këtij kaosi, destabiliteti, por vendosi të hedhë një hap të rëndësishëm për stabilitetin e vendit, për qeverisjen e tij dhe për të vijuar integrimin europian, që është projekti kryesor i LSI-së”.

Akuza

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, duke iu referuar bashkëpunimit mes PD-së dhe LSI-së, e akuzoi kreun e kësaj të fundit për tradhti. “Është një absurditet politik, sigurisht nuk është e papritur për ne, por që vërteton dhe një herë se u tradhtuan haptazi mbi 83 mijë votues të majtë, të cilët kanë votuar për një alternativë, për një program dhe mbi të gjitha për një qeverisje të majtë në Shqipëri për 4 vjetët e ardhshëm”, - vuri në dukje Ruçi lidhur me këtë çështje.

Kundërpërgjigjja

“Ne na vjen shumë keq për shprehje të tilla të dëshpëruara, pasi LSI-ja nuk ka asnjë borxh ndaj PS-së, e cila u soll në mënyrën më armiqësore për gati 2 vjet ndaj LSI-së, që realizoi një projekt mafioz për shkatërrimin e LSI-së në këto zgjedhje. LSI-ja ka pozicionin e saj, ka votat e saj, çdo koalicion LSI–PS ishte i pamundur dhe sillte vetëm krizë. Kjo është zgjidhja që i shërben vendit dhe ne do të ngrihemi mbi interesat e pjesshme”, - u shpreh Meta duke iu kundërpërgjigjur akuzës për tradhti të Ruçit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›