E Diel, 1 Nëntor 2026

Rudana Investment Group, 4 milionë investime në Shqipëri

Prifti nënshkruan memorandum mirëkuptimi me kompaninë zvicerane

Kompania zvicerane Rudana Investment Group pritet të investojë në Shqipëri një vlerë prej 4 milionë eurosh në vitet e ardhshme. Investimi parashikohet në shumë sektorë, në prodhimin e energjisë nga uji, në ndërtimin e rafinerive, ndërtimin e një porti të ri në Vlorë, madje dhe mundësi për privatizimin e kompanisë Albpetrol. Ky fakt është bërë i ditur dje kur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë Rudana Investment Group. Rudana Investment Group është një kompani zvicerane, kryesisht përfaqësuese e një konsorciumi investitorësh të vendeve të Gjirit Persik, por edhe investitorësh evropianë. Ministri z. Dritan Prifti nënshkroi memorandumin në emër të qeverisë shqiptare, ndërsa për grupin Rudana Investment memorandumi u nënshkrua nga zv.drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, z. Hamy Salem. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e konsideroi memorandumin e nënshkruar me kompaninë Rudana Investment Group si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të firmosur nga ana e qeverisë shqiptare, për sa i përket madhësisë së investimeve që parashikohen të bëhen në Shqipëri. Ministri Prifti përmendi dhe disa nga sektorët ku parashikohet të investohet, si në atë energjetik. Ministri Prifti tha se një ndër pikat e memorandumit ka të bëjë me ndërtimin e 1000 MW kapacitet të ri të prodhimit të energjisë elektrike nga uji. Po të kemi parasysh që fuqia prodhuese e Shqipërisë sot është rreth 1500 MW, ky është një kontribut i jashtëzakonshëm në sistemin tonë energjetik, me investitorë të gatshëm për të ndërhyrë menjëherë në këtë sistem, - u shpreh z. Prifti. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përmendi edhe pika të tjera të memorandumit me kompaninë Rudana Investment Group, si ndërtimin e një rafinerie të re në Porto-Romano; ndërtimin e një qendre të observimit të hapësirës dhe të tokës në Shqipëri; ndërtimin e një qyteze të re, me një teknologji të re dhe duke respektuar ambientin, vendi i ndërtimit të së cilës do të përcaktohet nga qeveria shqiptare në të ardhmen; apo shprehjen e interesit nga kompania Rudana Invesment Group të privatizimit të kompanisë Albpetrol. Një tjetër pikë që përmban memorandumi në fjalë ka të bëjë me ndërtimin e një porti të ri në zonën e Vlorës ose privatizimin e atij ekzistues, ashtu siç theksohet dhe angazhimi i kompanisë Rudana Investment Group, për të investuar në projekte financiare, të cilat do ti përzgjedhë qeveria shqiptare.

Në vijim, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, shprehu kënaqësinë, në emër të qeverisë shqiptare, për nënshkrimin e memorandumit, si një hap të rëndësishëm për të sjellë sa më shumë investime të huaja direkte në vend dhe garantoi kompaninë Rudana Invesment Group për mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve. Më vjen mirë që investitorë seriozë dhe të suksesshëm zgjedhin Shqipërinë për investimet e tyre. Sigurisht dhe duke marrë garancinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen dhe mbështetjen e këtyre investimeve, për krijimin akoma më shumë të një klimë besueshmërie për investitorët, të një klime akoma më të përshtatshme për bërjen biznes në Shqipëri. Unë e falënderoj përfaqësuesin e Rudana Investment Group që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Gjithashtu, dëshiroj të vë në dukje kontributin e Kryeministrit Berisha në takimet e mëparshme me këtë grup dhe nxitjen që i ka bërë këtij grupi investitorësh për të investuar në Shqipëri, - u shpreh ministri Dritan Prifti. Nga ana e tij, zv.drejtori i Përgjithshëm i kompanisë zvicerane Rudana Investment Group shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e memorandumit dhe preku disa nga fushat në të cilat kompania është e interesuar të investojë, si energjetikën apo infrastrukturën. Zoti Hamy Salem tha se kompania prej gati dy vjetësh është duke ndjekur zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe shprehu besimin për sukses në projektet që ata do të ndërmarrin në vendin tonë.

Prifti: Shqipëria ka hapësirë për ndërtimin e 2200 MW kapacitet energjetik 

Shqipëria ka hapësirë për ndërtimin e 2200 MW kapacitet energjetik të prodhuar nga uji. Kjo është bërë e ditur dje nga ministri i Ekonomisë, i cili u pyet nga gazetarët lidhur me ndërtimin e 1000 MW kapacitet të ri energjetik, se ku do të ndërtohet ai. Në Shqipëri ka hapësirë, përveç koncesioneve që janë dhënë, për ndërtimin e 2000-2200 MW kapacitet energjetik në hidrocentrale, duke përmendur vetëm dy projekte, atë të Vjosës prej 700 MW dhe të Skavicës prej 350 MW, - tha Prifti. Ministri Prifti nënvizoi se hapësirat për investime janë më se të pranishme në Shqipëri. Ai sqaroi me detaje se ky fond do të shohë jo vetëm projektet e reja për investime, por dhe koncesionet ekzistuese ku investitorët aktualë nuk kanë mundësi të përfundojnë investimet. Pra, do të jetë i hapur dhe për të bërë marrëveshje me kompanitë që kanë koncesione ekzistuese, për të përfunduar investimet e tyre, - u shpreh z. Prifti.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›