E Diel, 1 Nëntor 2026

Zviceranët, 4 miliardë euro investime në Shqipëri

23/04/2010 Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, firmos marrëveshjen me “Rudana Investment”

Interesi në fushën energjetike, ndërtimi i një rafinerie nafte dhe privatizimin e Albpetrol-it

Katër miliardë euro investime për 4 vjet në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Kjo është shuma që grupi zviceran “Rudana Investment” ka planifikuar të investojë në vendin tonë dhe marrëveshja për këtë u nënshkrua dje me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. “Është një marrëveshje, e cila parashikon që në 4 vitet e ardhshme në Shqipëri nga ky grup të investohen rreth 4 miliardë euro. Një pikë e marrëveshjes është që grupi “Rudana Investment” do të investojë për të ndërtuar rreth 1000 MW kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike nga uji, pra hidrocentrale. Parashikohet ndërtimi i një rafinerie të re në Porto Romano, shprehet interesi për privatizimin e Albpetrol-it, flitet për ndërtimin e një qyteze të re, si dhe për ndërtimin e një porti të ri në qytetin e Vlorës ose privatizimin e atij ekzistues”, deklaroi Prifti pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje. Ndërkohë, Hamy Salem zv/drejtor i grupit “Rudana Investment” theksoi se kompania prej gati dy vjetësh është duke ndjekur zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe shprehu besimin për sukses në projektet që ata do të ndërmarrin në vendin tonë. “Jemi takuar me Kryeministrin Berisha dhe kemi marrë garanci për klimë miqësore investimesh këtu. Bazuar në projektet qeveritare ne do të investojmë në energjetikë, gaz e naftë, infrastrukturë dhe drejtime të tjera”, përfundoi ai. Pjesë e këtij plani investimesh janë edhe ndërtimi i banesave, infrastruktura rrugore e portuale bazuar në projektet që ka qeveria si dhe përfshirja në koncesionet. Tashmë pritet zbatimi konkret i këtij investimi sektorët që parashikon marrëveshja e informosur mes ministrit të Ekonomisë dhe grupi zviceran “Rudana Investment”.

Kapacitet energjetike

Shtimit kapaciteteve energjetike të Shqipërisë do të jetë në fokus të Ministrisë së Energjetikës. Për sa i përket zhvillimit të këtij sektori, ministri Prifti deklaroi se sot ka hapësirë, përveç koncesioneve që janë dhënë, për ndërtimin e 2000-2200 MW kapacitet energjetik në hidrocentrale. Në këtë kuadër ai ka përmendur vetëm dy projekte, atë të Vjosës prej 700 MW dhe të Skavicës prej 350 MW. “Hapësirat për investime janë më se të pranishme në Shqipëri. Ky fond do të shohë jo vetëm projektet e reja për investime, por dhe koncesionet ekzistuese ku investitorët aktualë nuk kanë mundësi të përfundojnë investimet. Pra, do të jetë i hapur dhe për të bërë marrëveshje me kompanitë që kanë koncesione ekzistuese, për të përfunduar investimet e tyre”, përfundoi ministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›