E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë dynden në Galeri, nuk lejohet fotografimi

Ndoshta Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka parë më shumë vizitorë sesa dje. Së shumti të rinj, në ekspozitën e hapur me klasikët origjinalë italianë të viteve 900 ka pasur dyndje vizitorësh. Nën masa të forta sigurie, ku nuk është lejuar as të fotografohet, vëmendja e të rinjve është ngulur më shumë mbi punët origjinale, çfarë e ka bërë këtë ekspozitë ngjarje në Tiranë. Në kuadër të stinës së aktiviteteve italo-shqiptare Dy popuj, një det, një miqësi, GKA në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë sjell klasikët origjinalë të 900-ës, nga koleksioni Ca La Ghironda i koleksionistit të njohur italian, mjekut Francesco Martani. Përzgjedhja është kryer nga GKA dhe Qendra Kulturore Ca La Ghironda. Ekspozita është e ndarë në dy seksione, ku e para Shkëlqime klasike paraqitet me vepra të autorëve më të njohur italianë të shekullit XVI dhe XVII, ndër të cilët artistë si Francesco Raibolini i njohur si Françia (Francesko Raibolini - Francia), Guido Reni, Annibale Caraci (Anibale Karaçi), Giovan Francesco Barbieri i njohur si Guercino (Xhovan Francesko Barbieri njohur si Guerçino). Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti i famshëm flamand i shekullit XVII, Anthony Van Dyck (Anton Van Dik). Seksioni dytë i kësaj ekspozite me titull Atmosfera e shekullit XX paraqet pothuajse të gjitha kërkimet artistike gjatë shekullit të shkuar. Ky seksion përmban vepra nga artistët më të famshëm italianë dhe botërorë të shekullit XX, si Kazimir Malevich, Giorgo de Chirico, Giorgo Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, March Chagall, Joan Miro, Pablo Picasso, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy Warhol, Jean Michel Basquiat etj. Ky seksion nis me eksperimentet e para që iu takojnë vizatimeve të Kazimir Malevich-it, duke vazhduar me Piet Mondrian-in dhe veprat e konsideruara modeste të Giorgo Morandi-it. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Italiane, Fondacionin Ca La Ghironda dhe është mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Artit të Bankës Bujqësore të Mantovës, Bashkia e Bolonjës dhe Bashkia e Mantovës. Ndonëse janë koleksione private, këto përbëjnë trashëgimi kulturore për Republikën e Italisë dhe ardhja e tyre për ekspozim në Shqipëri është bërë me vendim qeverie.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›