Rudi Vata: Jam këtu për Vllazninë
“Dua të jap më të mirën për Vllazninë dhe kjo e imja është një zgjedhje zemre,” këto janë fjalët me të cilat ka nisur konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Vllaznisë ish-kapiteni i kombëtares dhe legjenda e futbollit shkodran, Rudi Vata. Pas një jave plot me hamendësime në lidhje me pasuesin e Mirel Josës, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, së bashku me drejtuesit e tjerë të klubit kuqeblu kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ka qenë një garë e fortë mes Vatës dhe Sulejman Starovës, por krerët e Vllaznisë kanë zgjedhur emrin e parë për shumë arsye, mbi të gjitha për impaktin që do të ketë eksperienca e Vatës te Vllaznia dhe për marrëdhëniet që mund të rilindin mes klubit dhe tifozëve pas disa sezonesh thyerjeje. Ai është i përgjegjshëm për këtë, ndaj kërkon ta bëjë të ditur që në fillim se cili është objektivi i tij i parë. “Dua që të ringjall skuadrën. Vllaznia ka mundësi të bëjë shumë dhe do të përpiqem që të jap maksimumin tim. Për këtë kam ardhur dhe kam lënë familjen time në Skoci për të bërë çmos që ta ringre Vllazninë,” ka thënë Rudi Vata, i cili më pas ka shtuar se ka besim të plotë te kjo skuadër, aq sa nuk ka nevojë që të hyjë në merkaton e janarit. “Vllaznia e ka potencialin për të bërë mirë. Është paksa e rënë nga aspekti psikologjik, por unë kam besim te këta djem dhe nuk e kam vënë si kusht merkaton e janarit në kontratën time. Vllaznia i ka mundësitë për t’u ngjitur lart në tabelë dhe pikërisht këtë do të synojmë,” analizon trajneri i ri i kuqebluve. I pyetur se çfarë do të bëjë me sektorin teknik të skuadrës, Rudi Vata deklaroi se “do të bisedoj me anëtarët e stafit dhe nëse idetë e mia përputhen me të tyret, nuk do ta kisha aspak problem që të vijoj të bashkëpunoj me ta siç ka bërë edhe paraardhësi im”.