E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxehtë në Grupin A

Grupi A i Ligës së Kampionëve do të jetë më i ‘nxehti’ sonte. Manchester City, me tri pikë eventuale ndaj Villarrealit, do t’i afrohej kualifikimit. Ndërkohë, punë e vështirë i pret skuadrat ku aktivizohen futbollistët shqiptarë. Napoli e viziton Bayernin e rrezikshëm, ndërsa Baseli është mysafir i Benficës. Dinamo Zagrebi kërkon pikët e para në duel me Ajaxin.

Vëmendja e të gjithë futbolldashësve të mërkurën mbrëma do të përqendrohet në Grupin A të Ligës së Kampionëve, i cili duket të jetë me i nxehti. Villarreali, edhe pse luan pa sulmuesin kryesor Giuseppe Rossi, do ta kërkojë ‘trenin e fundit’ në duel me Manchester Cityn. Skuadra spanjolle i ka humbur tri ndeshjet e fundit dhe matematikisht ka ende gjasa për kualifikim në të tetën e finales.

Në anën tjetër, skuadra angleze do të mundohet ta mposhtë sërish ‘Nëndetësen e Verdhë’, për të mbetur në hap me dy skuadrat tjera për kualifikim. Në duelin tjetër, Napoli i Blerim Xhemajlit e viziton Munichun, ku e pret Bayerni vendës. Ekipi italian do të ishte i kënaqur edhe me një barazim nga sfida në ‘Allianz Arena’, ndërsa ekipi bavarez, me fitore eventuale, do ta shihte kualifikimin me njërin sy.

Në Grupin B, Interi me fitore ndaj Lilles do t’i afrohej shumë kualifikimit. Ndërsa Trabzonspori dhe CSKA Moska do të luajnë sonte në mes vete në kërkim të vendit të dytë, i cili po ashtu çon përpara.

Baseli i Xherdan Shaqirit dhe i vëllezërve Taulant e Granit Xhaka do ta vizitojë Benficën. Kampioni zviceran u mposht në shtëpi nga ekipi portugez dy javë më parë, ndërsa tash do t’i mjaftojë një barazim për të shpresuar ende në një kualifikim të mundshëm.

Në ballafaqimin tjetër, Manchester United është favorit ndaj ekipit rumun Otelul Galati. Tri pikët nga ky takim do t’ia rrisnin gjasat për kualifikim ‘Djajve të Kuq’, të cilët nuk e kishin nisur mirë këtë fazë.

Në Grupin e fundit, atë D, Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt i kërkon pikët e para në këtë kompeticion në duel me Ajaxin. Ndërkaq, Real Madridi, me fitore ndaj Lyonit në Francë, do ta siguronte edhe automatikisht kualifikimin në të tetën e finales.

Liga e Kampionëve

E mërkurë

Grupi A

Bayern Munich – Napoli 20:45

Villarreal – Manchester City 20:45

Grupi B

Trabzonspor – CSKA M. 20:45

Inter Milan – Lille 20:45

Grupi C

Benfica – Basel 20:45

Man. United – Otelul Galati 20:45

Grupi D

Lyon – Real Madrid 20:45

Ajax – Dynamo Zagreb 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›