E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza mposht Elbasanin

Kategoria I Bylis vazhdon marshimin, hapet gara për “play-off”

Bylisi vazhdon marshimin i sigurt drejt elitës së futbollit shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Ilir Spahiu nuk ka zhgënjyer as gjatë kësaj fundjave, duke fituar me rezultatin 3-0 përballë Skraparit. Për vetë renditjen e skuadrave, kjo përballje dukej një formalitet për ballshiotët, megjithatë, fitorja me këto shifra nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Seria e golave për vendasit u hap nga Amarildo Dime kur kronometri tregonte vetëm 12 minuta lojë, ndërsa dy rrjetat e tjera, me autorë Romeo Hamzaj dhe Maringlen Kule janë realizuar në minutat 73 dhe 81. Me këtë fitore, Bylisi konsolidon kreun në Kategorinë e Parë dhe ngjitet në kuotën e 50 pikëve pas 20 ndeshjeve të zhvilluara. Tashmë, diferenca nga ndjekësit më të afërt është 12 pikë, edhe pse Lushnja ka një ndeshje për të luajtur të martën në fushën e Pogradecit.

Por, nëse Bylisi i Ilir Spahiut nuk e diskuton primatin, interesante është bërë gara për vendet “play-off”. Elbasani i vendit të tretë ka humbur 2-1 në fushën e Kamzës dhe tashmë e ka kompromentuar dukshëm rrugën drejt Superiores. Fakti interesant i kësaj përballje është se të tre golat janë realizuar nga vëllezërit Dalipi: Klevisi i ekipit vendas ka shënuar dy, ndërsa Endri i elbasanasve golin e vetëm për verdheblutë. Në këtë mënyrë, Kamza e drejtuar nga Perlat Musta (i cili mungoi në ndeshjen e debutimit për shkak të një fatkeqësie), ngjitet në vendin e pestë, në kuotën e 34 pikëve dhe vazhdon të ëndërrojë. Fitore minimale, por shumë e rëndësishme për tabelën ajo që Ada arriti përballë Gramshit. Skuadra nga Velipoja tashmë është e katërta, me 37 pikë. Vazhdon ecuria e mirë edhe për Partizanin e Skerdi Bejzades, që me golat e Ardit Beqirit dhe Sadush Danajt kanë mposhtur 2-0 Besëlidhjen në Lezhë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›