Bizhutë e mia ‘flenë’ në shtratin muzikor
Krijuesja prezanton 26 bizhuteri simbolike, të shoqëruara me pikturën, gurët e çmuar, tela bakri si dhe fotografinë. E diplomuar për kanto, motivet që sjell 37-vjeçarja në këtë formë shprehjeje vijnë si një dyzim i pashmangshëm mes muzikës dhe krijimit
Sapo përmenden bizhuteritë, vetvetiu marrëdhënia ‘e ngrohtë’ që kanë femrat me to është e kuptueshme. Andaj edhe prezantimi i një ode plot e përplot me bizhu nga Helona Ruli, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen. E megjithatë, ekspozita nën siglën “The living road” vjen si një kurth nga autorja. është diplomuar për kanto, kur për vite ka pasur një shkëputje, por në këtë formë shprehjeje ajo prezantohet për herë të parë. Megjithatë destinin e saj, artistja e parasheh të lidhur në mënyrë të pashmangshme mes të dy fushave të artit. Aq më tepër kur mes tyre nuk ka kontradikta, përkundrazi frymëzojnë njëra-tjetrën. Ideja i lindi teksa punonte paralelisht me veprën “La Sonambula” të Belinit, çka e frymëzoi të krijonte atë çfarë reflektohej nga ai shekull. Në këtë ndërthurje mes muzikës dhe krijimit, 37-vjeçarja shkon dhe më tej, duke i vënë emër të gjithë krijimeve të saj. çdo bizhu ka një emërtim, me prejardhje nga një ritmet muzikore. “Allegissimo”, “affannoso”, “allargando”, “agile”, “con brio”, etj., janë disa nga emrat që mbajnë bizhutë e saj. Ajo shprehet se u ka dhënë jetë bizhuve, por nuk ka qenë kurrë e varur prej tyre, përkundrazi. Mjafton ta shohësh qafën e saj të zhveshur, për t’i dhënë të drejtë. Krijuesja thotë se të gjithë krijimet e saj kanë ardhur natyrshëm, nga tendenca për të njohur veten dhe feminilitetin e prurjeve të saj. Për më tepër, bizhutë që prezanton dalin përtej të zakonshmes, duke u shpërfaqur në formën e instalacionit. “Ekspozita është tredimensionale, shprehet mes fotografisë, instalacionit dhe bizhusë, që qëndron në vetvete. Bizhutë janë krijuar me anë të katër materialeve. Kam përdorur kanavacën, ndërsa dizajnoja është profilizuar me bojë akrilik, më pas me gur gjysmë të çmuar, një kurth indirekt nga koncepti i bizhusë, pasi një e tillë nuk konceptohet pa gurë qoftë i çmuar ose jo, gurët mbeten një element i cili e profilizon më mirë”, shprehet 37-vjecarja. Një tjetër element tek bizhutë e saj simbolike është edhe teli i bakrit, të cilat Helona i ka gjetur rastësisht, por që i përdor në mënyrë të qëllimshme për të sjellë retrospektivën. Përtej evokimit të së shkuarës, bizhutë e saj ‘flenë’ mbi legion, shtratin e partiturës. Një gjetje që në rastin e Helonës është pleksur me profesionin e saj si soprano. Më tej një reflektim që vjen nëpërmjet fotografisë së Albes Fushës, e që për krijuesen e instalacionit përveç ekspozimit mbartin një mesazh më të thellë sesa dukja. “Tek fotografitë përçudnohet dhimbja, e cila reflektohet përmes mirazhit- lot. Meqë referenca ime është muzika, në çdo moment jetësor, përcillet si pjesë përbërëse tek instalacioni”, shpjegon Helona. Janë plot 26 vepra, ku çdonjëra prej tyre është unike në llojin e vet, me një ngjarje të veçantë, një emocion të veçantë, duke shprehur aty-këtu sipas Rulit, një natyrë shpeshherë rebele dhe një marrëdhënie vetmitare. “Duke qenë se janë mësuar të qëndrojnë në ambientin tim, është hera e parë që evidentohen. Po i ndaj me publikun, çka përbën një problem për mua. Në momentin që evidentohet ka përfunduar ëndrra, iluzioni, dhe është koha të nis për një punë tjetër. Kjo ka qenë një frymë e ardhur pothuajse prej një muaji, qëndruar brenda meje për vite me radhë, por gjalluar në një kohë të shkurtër”, shprehet Ruli, e cila këtë ekspozitë ia dedikon kujtimit të të atit.