“Vogëlushët” e Lëvit turpërojnë Mesin e Maradonën
Lamtumirë edhe Argjentinës. Aristokracia latino-amerikane pas eliminimit pardje edhe të Brazilit është e tëra në shtëpi.
Europa e vjetër ka vënë veton në këtë Kupë Bote duke treguar se është padrone e topkëmbës, kjo falë një Gjermanie magjike e dirigjuar mjeshtërisht nga “i panjohuri” Joakim Lëv.
“Dojçët” e tij luajnë padyshim futbollin më të bukur të këtij Botërori, aq sa nuk përtojnë t’i japin një leksion edhe një prej favoritëve kryesorë të këtij kompeticioni, pas eliminimit të Anglisë. Katër gola Argjentinës dhe një “adios” të hidhur Diego Armando Maradonës. Një dështim për këtë të fundit, por jo vetëm: një dështim për gjithë futbollin latino-amerikan, i mbështetur kryesisht në individualitete duke lënë mënjanë lojën e skuadrës.
“Lamtumirë”, nga ky Botëror Diegos, të puthurave të tij për secilin futbollist të skuadrës që drejton, rruazave fatsjellëse që mban fort në dorë dhe futbollit tënd primitiv që mbështetet veçse te individualitetet duke lënë mënjanë kolektivitetin, lojën e skuadrës. Si fillim duhet theksuar: është humbja dhe dështimi i Maradonës. Duke nisur që nga zgjedhjet e tija taktike ose jo si për shembull të mbrojtësit të djathtë Otamendi, i vetmi futbollist titullar që luan në Kampionatin argjentinas tek Velez. Në tre minuta lojë ai bën dy gafa, njëra pas tjetrës duke treguar në një farë mënyre pasditen e zymtë jo vetëm të tij, por edhe të Argjentinës. Në fillim ndalon keq Podolskin duke shkaktuar faullin që më pas solli golin. Në zonë nuk di se ku është aq sa Myler rreshket para syve të tij duke prekur aq sa mjaftonte për ta devijuar topin në rrjetë. Argjentina shokohet dhe më pas me trion Mesi-Tevez-Higuain mundohet të rrezikojë por që të tre sulmuesit mundohen më shumë për të dribluar dhe gjetur portën vetëm sa për të ndërtuar aksione të cilat më pas do të kishin një rrjedhë logjike për te shënimi i golit. Nga ana tjetër gjermanët të kallin frikën kur nisen në kundërsulm aq sa ke frikë edhe tu afrohesh te porta pasi s’dinë të lënë as një mlm zonë të lirë.
Por është edhe humbja e Lionel Mesit, “Topi i Artë” që edhe këtë herë vërtetoi sezonin negativ në planin ndërkombëtar. Humbi Kupën e Kampioneve pasi u eliminua nga Interi dhe tashmë largohet nga Kupa e Botës pa shënuar shkëlqyer asnjëherë sikundër pritej, pa shënuar asnjë gol, dhe pa mundur që të marrë për dore Argjentinën e tij dhe ta çojë drejt fitimit të trofeut sikundër pritej nga shumë analistë sportivë dhe sportdashës. Në pjesën e parë arrin të gjuajë vetëm një herë ndërsa në të dytën zhduket totalisht nga qarkullimi. Argjentina organizon vetëm rrëmujë te zona e gjermanëve nga ku del më pas vetëm një top i lehtë dhe pa shumë pretendime për portierin Nojer. Nga ana tjetër nis sërish show i gjermanëve të cilët bëjnë ç’të duan me një mbrojtje që mezi qëndron në këmbë. Myler-Shvajnstajger-Podolski-Klose janë të pamëshirshëm. Dy asist të Shvajnit dhe një i Podolskit rezultojnë një lojë fëmijësh për Klosen, në dy raste dhe për mbrojtësin Arne Fridrish. Po, po, edhe ky erdhi nga fundi i repartit të tij difensiv kur rezultati ishte 2-0 dhe shënoi golin e tij duke turpëruar pa limit “talentet” e futbollit argjentinas.