“Rudina Magjistari – Misioni vazhdon”
Petrika GROSI
Vizion Plus po përgatitet të paraqesë së shpejti në ekranin e tij një format krejt të ri televiziv, jo vetëm nga pikëpamja e realizimit, por edhe si përmbajtie. Ky format që do të prezantohet për publikun shqiptar për herë të parë dhe që do të transmetohet live në valët e Vizion Plus, do të ketë për protagoniste një prej figurave më të dashura të botës së show-t televiziv në Shqipëri: Rudina Magjistarin, e cila vjen në këtë projekt si pjesë shumë e rëndësishme e punës përgatitore, duke e bërë programin e ri një projekt autori të mbështetur edhe në filozofinë e përmbajtjes programore të një prej televizioneve më të suksesshme në vend, “Vizion Plus”. Formati që titullohet: “Rudina Magjistari – Misioni vazhdon”, do të vijë tek spektatori çdo të shtunë mbrëma në orën 21:00 duke sjellë realitetin shqiptar të ditëve të sotme, të parë nga një këndvështrim optimist. Një atmosferë e cila do të ofrojë humanizmin dhe solidaritetin njerëzor të jetëve tona, në një kohë që problemet ekonomike e sociale qe kalon Shqipëria sot kanë një ndikim të madh në humbjen e këtyre vlerave të shoqërisë. Për më tepër detaje, Rudina rrëfehet siç vijon më tej në intervistën e dhënë për gazetën “Albania”.
Ju sezonin e kaluar u shfaqët para publikut me programin “T’kam zemër”, si lindi programi i ri “Rudina Magjistari – Misioni vazhdon”?
Siç me siguri, e keni konstatuar edhe ju, fillimi i këtij sezoni të ri televiziv u shoqërua me lëvizje dhe ndryshime të dukshme në programacionin e kanaleve kryesore televizive. Gara dhe konkurenca mes televizioneve duket se ka marrë formë shumë të qartë tani, dhe ky sezon i ri televiziv, parashikohet të jetë mjaft interesant. Në këtë kuadër erdhi edhe bashkëpunimi me një nga kanalet më të fuqishme televizive në vend, Vizion Plus, bashkëpunim, i cili u shoqerua me idenë e realizimit të një programi të ri televiziv, por që në thelbin e vet do të vazhdojë të ketë humanizmin, dashurinë, solidaritetin, vlerat më të mira njerëzore, e ku sigurisht, Vizion Plus, me suportin që do t’i japë këtij programi garanton një performancë të përsosur të të gjithë elementeve dhe cilësi tepër të lartë të realizimit. Përsa i përket “T’kam zemër”, ai është një nga programet e mia më të dashura, ku dashuria njerëzore është gjithë esenca e tij. Nëpërmjet historive të ndryshme njerëzore, misioni i tij për të përçuar tek teleshikuesit mesazhet më universale, të frymëzojë dashuri, forcë e vullnet, për të nxjerrë në pah pjesën më të mirë njerëzore, do të vazhdojë sërish, edhe duke ndjekur histori, me të cilat jemi prezantuar në sezonin e parë te “T’kam zemer”. Po kështu, në Vizion Plus, dy sezonet e kaluara një staf shumë i përkushtuar gazetarësh ka punuar intensivisht për t’i ardhur në ndihmë njerëzve që duan të takohen me njëri-tjetrin, që kërkojnë të dashurit e tyre, të cilët nuk dihet se ku janë dhe se çfarë fati kanë pasur, pasi kanë humbur kontaktet prej kohësh dhe shkaqes të caktuara. Pra rrethanat e jetës ua kanë pamundësuar këtë takim. Një mision, i cili si rrjedhojë e kërkesave të shumta nga të interesuarit, të mbërritura në redaksi nëpërmjet letrave apo e-maileve, do të vazhdojë nga ata gazetarë me të njëjtin entuziazëm, dëshirë të madhe për të punuar e për të ndihmuar të tjerët. “Rudina Magjistari-Misioni vazhdon” do të jetë një format ku do të shkrihen sëbashku të gjithë këto elemente, duke ruajtur të njëjtin shpirt, për të realizuar në këtë mënyrë programin absolutisht më të dashur për publikun shqiptar.
Cilat ishin pikat e përbashkëta që ju gjetët mes programit tuaj dhe filozofisë së Vizion Plus?
Vizion Plus është evidentuar gjithmonë si një nga televizionet më të fuqishme në Shqipëri, me një vëmendje të veçantë kushtuar çështjeve sociale. Pothuaj, në të gjitha sezonet televizive, Vizion Plus ka prezantuar programe sociale që kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e teleshikuesve, ka pasqyruar gjithmonë realitetin e vështirë shqiptar, duke synuar të sensibilizojë sa më shumë ndërgjegjen e të gjithëve ne, për të luftuar indiferencën mbytëse, që ritmet e përditshmërisë na injektojnë vazhdimisht.
A ka ndonjë kuptim të veçantë titulli “Rudina Magjistari – Misioni vazhdon”?
Çdo njeri publik duhet të jetë i ndërgjegjshëm për rolin që ka në influencimin e publikut, dhe nga ana tjetër, të përgjegjësive që lindin bashkë me këtë fakt. Dëshirën dhe qëllimin për të shërbyer nëpërmjet punës sime në ekran, për ta kthyer hapësirën time televizive, në një hapësirë ku nëpërmjet argëtimit, të synohet mësimi dhe edukimi, e konsideroj tashmë si një mision, po ashtu siç duket se është edhe për ata gazetarë të rinj të Vizion Plus, të cilët tani që i kam njohur, më kanë entuziazmuar me pasionin dhe vullnetin e tyre për të punuar dhe nvestiguar duke ndihmuar njerëzit që kanë humbur kontaktet me të dashurit e tyre.
A është ky një format “reality show”, “talk shw” apo diçka tjetër?
Elementi kryesor do të jetë talk-show, sigurisht, por në varësi të situatave do të jetë edhe reality, kur ngjarjet do të ndiqen në kohë reale. Por edhe elemente të tjerë të show-t, do të aplikohen herë pas here për ta bërë sa më të larmishëm këtë program. Eshtë e pamundur të përshkruash këtu gjithçka do të këtë emisioni, pasi çdo puntatë do të sjellë histori të ndryshme njerëzore, të cilat do të rrëfehen në program në mënyra të ndryshme.
Si do të vijë programi juaj tek publiku?
Si gjithmonë nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë, çdo të shtunë në orën 21.00, në valët e Vizion Plus.
Nisur nga fakti që ky do të jetë një emision live, sa mendoni se do t’i rezistoni me përmbajtien tuaj, orëve të transmetimit si dhe problematikave që do të shqyrtoni?
Për këtë të jeni të sigurt se do të jetë një program i pasur në materiale, në përmbajtje dhe ide. Madje, shpresoj që koha prej 2,5 orësh të na mjaftojë.
Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj,ekseperienca e tyre dhe si ndiheni me ta në këtë aventurë të re televizive?
Kjo natyrë programi, me një përmbajtje kaq të ngjeshur, me kaq shumë histori njerëzore, me xhirime në çdo kënd të Shqipërisë, e jo vetëm, por edhe jashtë kufijve, kërkon një staf të madh, me eksperiencë, por mbi të gjitha me shumë pasion dhe përkushtim. Stafi i gazetarëve që do të punojnë në këtë program po kompletohet pak nga pak, dhe siç sqarova më lart, kryesisht janë gazetarët e televizionit Vizion Plus, të cilët e kanë kuptuar me kohë se kënaqësinë më të madhe ta jep puna në terren, e jo vetëm ajo në studion televizive. Eshtë avantazh shumë i madh të punosh me një staf që njeh mirë terrenin, kërkimin, investigimin, pa harruar asnjëherë t’i shoqërojnë gjithmonë këto me shumë entuziazëm.
Kjo duket të jetë eksperinca e parë për Rudinën me Vizion Plus. Si e shikoni këtë marrëdhënie edhe pse ndoshta është ende herët për të folur?
Eshtë e vërtetë që është hera e parë që bashkëpunoj me Vizion Plus, dhe përshtypjet janë nga më të mirat. Me investime të mëdha në teknologji, me staf shumë profesional, me një atmosferë shumë stimuluese për të bërë një program të madh, besoj që çdo gjë do të shkojë mirë dhe ky program do të jetë një sukses i padiskutueshëm.
20 Shtator 2008