E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrja e patentës, 50 mijë lekë për t’u bërë pas një viti shofer automjeti



Ervin Koçi

Të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të marrin një leje për drejtimin e automjetit të tyre personal (patentën), që këtej e tutje do të përballen me rregulla të reja edhe më rigoroze. Këto rregulla kanë të bëjnë me mënyrën se si do të merret patenta, se si do të bëhet kursi për drejtues automjeti, si dhe mbi dokumentet dhe sasinë e parave që kushton ky lloj shërbimi. Sipas një udhëzimi të ri të Ministrisë së Transporteve, gazeta “Albania” publikon të gjitha rregullat e reja që i nevojiten një shtetasi/shtetaseje që ka mbushur moshën mbi 18 vjeç dhe kërkon të marrë të drejtën e ushtrimit të drejtimit të automjetit. Në bazë të udhëzimit, leja e drejtimit të automjeteve tashmë kushton 50 mijë lekë dhe kursi për mësimin e aftësive drejtuese të automjetit zgjat 1 vit kalendarik. Sipas ndryshimeve të reja të Kodit Rrugor, kursi i teorisë dhe kursi i praktikës, ndryshe nga e kaluara, nuk kryhen më bashkë. Kursanti që nis këtë kurs pa marrë më parë provimin e teorisë, nuk mund të kalojë në kursin e praktikës (mësimit të drejtimit së automjetit), që tashmë do të zgjasë 8 muaj. Ndërkohë, nëse një kursant nuk e merr provimin e teorisë, ka të drejtë që mbas 15 ditësh të rifutet në këtë provim. Ky provim mund të jepet deri në pesë herë brenda një viti, në të kundërt kursanti duhet ta riprovojë vitin e ardhshëm.

Leja e drejtimit

Sipas ndryshimeve të Kodit të ri Rrugor, kursi i patentës është konceptuar në dy faza dhe zgjat 1 vit kalendarik. Fillimisht bëhet kursi i teorisë për të njohur shenjat dhe sinjalistikën rrugore nga ana e kandidatit për drejtimin e mjetit. Kursanti, pa marrë provimin e teorisë, nuk mund të kalojë në kursin e praktikës. Personit të interesuar, për t’u regjistruar në kursin e teorisë, i nevojiten 8 dokumente. Nëse kursanti nuk e merr provimin e teorisë, ai ka të drejtë që mbas 15 ditëve të rifutet në provim. Provimin e teorisë mund ta japësh deri në 5 herë brenda një viti. Vetëm pas marrjes së provimit të teorisë mund të kalohet në kursin e praktikës. Ndërkohë, për të marrë pjesë në këtë kurs nevojiten 5 dokumente. Mundësia për ta dhënë këtë provim është 5 herë brenda një viti. Komisioni i marrjes në provë për njohuritë teorike dhe aftësitë drejtuese është i përbërë nga 2 anëtarë. Drejtuesi teknik i autoshkollës mund të marrë pjesë në provim, por pa të drejtë vote. Ndërkohë, modeli i testeve ndryshon vazhdimisht.

Tarifat

Marrja e patentës tashmë kushton 50 mijë lekë. Kursi i teorisë kushton 15 mijë lekë. Kursi i dhënies së automjetit përbëhet nga 20 seanca dhe do të kushtojë rreth 20 mijë lekë. Ndërkohë, kostoja e kartonit është 10 mijë lekë. Pra minimalisht i gjithë kursi për marrjen e lejes së drejtimit kushton 50 mijë lekë. Këtu futet edhe mundësia kur kursanti kërkon më shumë orë seancash praktike për aftësimin në drejtimin e automjetit, ku në atë rast kursi do të kushtojë më shumë.

Dokumentacioni

Personi i interesuar, për të hyrë në prova për leje-drejtimi të mjetit, paraqet nëpërmjet drejtuesit teknik të autoshkollës në sektorin përkatës të DRSHTRR-së dokumentacionin e nevojshëm, që përmban:
1. Për provën e kontrollit të njohurive teorike:
a) Kërkesën për të marrë pjesë në provë, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja.
b) 4 fotografi, me ngjyra, me përmasa 4x5 cm
c) Dokumentin e identifikimit.
ç) Vërtetimin e banimit.
d) Certifikatën mjekësore, jo më përpara se tre muaj nga data e paraqitjes së kërkesës, për të marrë pjesë në prova.
dh) Dokumentin e përcaktimit të grupit të gjakut dhe rezusin.
e) Leje-drejtimin e automjetit të kategorisë së mëparshme (në qoftë se ka).
ë) Mandatpagesën për çdo dalje në provë të kontrollit të njohurive teorike, sipas tarifave në fuqi.

2. Për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes:
a) Kërkesën për të marrë pjesë në këtë provë, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR –ja.
b) Autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, përcaktuar sipas udhëzimit të ministrit, që mbulon veprimtarinë përkatëse, të lëshuar nga DRSHTRR-ja dhe të plotësuar nga autoshkolla.
c) Mandatpagesën, për çdo dalje, në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes.
ç) Mandatpagesën për leje-drejtimi, e cila caktohet në bazë të tarifave në fuqi, plus taksën e pajisjes me leje-drejtimi, në varësi të kategorisë së leje-drejtimit.

3. Sektori përkatës i DRSHTRR-së merr në provën e kontrollit teorik kursantët në rastet kur:
a) Ka kryer programin teorik për kategorinë e kërkuar dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e regjistrimit në sektorin përkatës të DRSHTRR–së.
b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e kontrollit të njohurive teorike të personit të interesuar është në përputhje me kërkesat, e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 ditëve.
c) personi paraqitet brenda orarit të kontrollit të njohurive teorike dhe jo më vonë se 5 ditë nga dorëzimi i kërkesës së autoshkollës.
d) Nëse kursanti fiton në provën e kontrollit të njohurive teorike, jo më vonë se 5 ditë nga dalja në provë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, me afat kohor një vit.
dh) Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen teorike dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të regjistrimit.

4. Sektori përkatës i DRSHTRR-së do të marrë në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes kursantët kur:
a) kursanti kryer programin e ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore nga data e marrjes së autorizimit në sektorin përkatës të DRSHTRR-së.
b) dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes së personit të interesuar është në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor dhe të rregullores, në zbatim të tij. Kur dokumentacioni nuk është i plotë, i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet, brenda 5 ditëve.
c) personi paraqitet brenda orarit të provës së verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe jo më vonë se 5 ditë nga data e dorëzimit të kërkesës së autoshkollës.
d) Nëse personi i interesuar fiton në provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe dokumentacioni është i plotë, jo më vonë se 7 ditë nga dalja në provë, sektori përkatës i DRSHTRR-së e pajis atë me leje-drejtimi, për kategorinë e kërkuar.
dh) Nëse personi i interesuar nuk e fiton provën, duhet të vazhdojë përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes dhe mund të rifutet në provë vetëm pas 15 ditëve, deri në pesë herë, por brenda afatit njëvjeçar të autorizimit të ushtrimit të drejtimit të mjetit.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›