E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat e Tiranës, situata higjiene-sanitare më e mirë se një vit më parë



Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e rrethit të Tiranës kanë këtë vit shkollor kushte higjiene-sanitare më të mira krahasuar me një vit më parë. Ky fakt pozitiv ka rezultuar nga një monitorim i kryer nga specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës. Nga kontrollet e ushtruara në fund të vitit të kaluar shkollor u evidentuan probleme në punimet hidro-sanitare dhe në lagështirën e mjediseve, kryesisht në shkolla të rikonstruktura vitet e fundit, për zgjidhjen e të cilave u ngarkua Bashkia e Tiranës. Shefja e Sektorit të Higjienës Fëminore-Shkollore-Studentore të DSHP-së, doktoreshë Besa Shehu, e shpjegon këtë situatë me punimet jo cilësore, si dhe me faktin se një pjesë e problemeve anashkaloheshin, por edhe sepse nuk merreshin parasysh vlerësimet e Inspektoratit Shtetëror të Tiranës. Këtë vit shkollor, që sapo ka nisur, situata në shkolla paraqitet krejt ndryshe. “Problemet janë eliminuar tashmë në të gjitha shkollat. Vetëm shkolla “Lidhja e Prizrenit”, rikonstruksioni i së cilës ka mbaruar së fundmi, paraqet probleme me furnizimin me energji elektrike dhe, për pasojë, me furnizimin me ujë të pijshëm, për të cilën është lënë detyrë riparimi në një kohë sa më të shkurtër”, -shprehet Shehu. Sipas saj, edhe problemet me dyert, bankat dhe karriget, etj, këtë vit shkollor pothuajse janë eliminuar. Por, pavarësisht rezultateve pozitive të këtij monitorimi, kontrollet në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e minibashkive dhe komunave të Tiranës do të vazhdojnë.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›