E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga penalitetet, tregtarët ulin çmimin e karburantit me 3 lekë



Pas kontrolleve të Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Tatimeve, tregtarët e pakicës së hidrokarbureve janë trembur disi dhe kanë ulur çmimin e shitjes me 3 lekë. Dje në Tiranë, një litër naftë “D2” u shit me 147 lekë, nafta ‘Eurodiezel’ u shit 155 lekë/litër, ndërsa benzina u shit 150 lekë/litër. Në korrik nafta kapi çmimin e 147.5 dollarë për fuqi. Ky u konsiderua një çmim rekord në bursën ndërkombëtare. Që prej korrikut, çmimet ranë me më shumë se 55 dollarë për fuçi. Në tregun tonë të karburanteve ulja reflektoi vetëm me 5 lekë/litër. Pak ditë më parë në distributorët e shitjes me pakicë nafta “D2” u shitet me 153 klekë/litër, nafta e cilësisë së parë Eurodiezel u shit 160 lekë/litër, ndërsa benzina u shit me 155 lekë/litër. Në Shqipëri është vënë re gjithnjë një disbalancim në lidhje me çmimet e naftës. Kur çmimi i naftës rritet në bursat ndërkombëtare kjo rritje është e menjëhershme në tregun shqiptar. E kundërta ndodhi kur në tregjet botërore, çmimi i naftës ra 55 dollarë nga 147.5 dollarë që ishte në korrik, ulja reflektoi vetëm me 5 lekë dhe pas disa javësh çmimi i naftës u ul në 8 lekë për litër. Mbetet të shpresohet që grosistët të mos aplikojnë këtë ulje sa për të zbutur zemëratën e opinionit publik për spekulime me çmimin e naftës. Rënia e çmimit të karburanteve në vendin tonë ka ndodhur shumë javë pas tendencës së shfaqur në bursa. Në tregjet financiare ndërkombëtare ari i zi ka arritur kuotën e 100 dollarëve për fuçi. Ndërkohë që ditën e djeshme shënoi 98 dollarë, niveli më i ulët prej më se një viti. Rënia e çmimit të naftë në bursa vijon tashmë prej mëse një muaji e gjysmë. Por kjo ecuri nuk është reflektuar plotësisht në tregun tonë të karburanteve, ku ulja e çmimeve ka qenë shumë e ulët kundrejt tregut ndërkombëtar.

20 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›