E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Thyejnë” kufirin, në pranga 9 persona

24/03/2005  Porti

DURRËS - Nëntë shtetas me kombësi të ndryshme janë ndaluar e më pas arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ata tentuan të kalojnë kufirin pa dokumentacionin e duhur ligjor. Drejtoria e Policisë së këtij Qarkut bëri të ditur se personat, pjesa më e madhe e të cilëve janë shtetas shqiptar, me banim në vendin tonë, janë pajisur me pasaporta të falsifikuara si dhe viza të falsifikuara. Shërbimet e policisë në portin e Durrësit në pikën e kontrollit të dokumenteve bllokuan në dy javë pesë qytetarë shqiptarë, tre kosovarë dhe një turk, pasi ata kanë rezultuar me dokumente të rreme. Shtetasit e arrestuar kishin destinacion shtetin fqinj Italinë dhe ata do të udhëtonin me traget për të kaluar përtej Adriatikut.

Me vendosjen e aparaturave të reja kompjuterike të verifikimit të të dhënave, si dhe me instalimin e pajisjeve elektronike në pikën e kontrollit të automjeteve, është zvogëluar ndjeshëm trafiku i lëndëve narkotike si dhe kalimi ilegal i mjeteve dhe shtetasve. Kritikat e vazhdueshme nga organet e drejtësisë në adresë të bluve të Durrësit, ka bërë që drejtuesit e këtij institucioni të reagojnë. Krahas ndalimit të personave me dokumente të falsifikuara, agjentët e zyrës së sektorit të luftës kundër krimit kanë dërguar për ndjekje penale edhe tre shtetas gjatë këtij muaji, të akuzuar për shmangie të detyrimit doganor të mallrave të importuar.

Paralelisht me luftën kundër krimit ekonomik, policia ka evidentuar në 3 javët e muajit mars 5 raste, ku shtetas të ndryshëm kanë paraqitur pranë zyrës së pasaportave akte të gjendjes civile të falsifikuara. Sipas policisë, e cila ka deklaruar se edhe këta shtetas janë dërguar për ndjekje penale, ata kanë përdorë gjeneralitete të rreme, me qëllim pajisjen me pasaportë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›