Mamografia e spitalit “në pritje”, shkak instalimi
03/02/2010 Durrës, drejtoria gjen mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë
Në një vit kanë nevojë për vizitë mjekësore mbi 10 mijë femra
Drejtoria spitalore ka gjetur mbështetje në ministrinë e linjës lidhur me vënien në punë në një kohë të shpejtë të pajisjes mamografike në spitalin e Durrësit. Vetëm një ditë pas zhvillimi të analizës vjetore të këtij shërbimi shëndetësor e spitalor në Durrës, drejtues të spitalit kanë gjetur mbështetjen e duhur nga Tirana. Prej dy vitesh pajisja e mamografisë e vendosur në një nga mjediset e këtij spitali qëndron e papunë duke mos kryer asnjë ekzaminim. Gjatë përurimit të kësaj pajisje shumë të rëndësishme për të kapur në kohë simptomat e prekjes nga sëmundja e tumorit të gjirit tek gratë është thënë se në një kohë të afërt do të vendosej gjeneratori, akumulatori si dhe do të përfundonte përshtatja e mjedisit për ekzaminime të tilla cilësore. Shërbimi i mamografisë është afruar falas në saj të përfshirjes së shërbimit shëndetësore në Durrës në projektin e rëndësishëm të INTERREG 3. Qeveria italiane ka ofruar asistencë teknike dhe pajisje një prej të cilëve është vendosur në Durrës. Sipas të gjitha studimeve paraprake është thënë se mamografia do të mund të realizojë ekzaminimin e më shumë se 10 mijë femrave në harkun kohor të një viti. Mamografia me fonde të projektit INTERREG 3 u vendosën në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë. Organizmat shëndetësore ndërkombëtare kanë parashikuar se në një periudhë 4-5-vjeçare nga koha e vënies në punë të pajisjes bashkëkohore, do të kishin të dhëna të kënaqshme. Interesimi sipas mjekëve ka qenë i vlerësuar, por aparatura nuk është vënë në punë ngase nuk ka funksionuar i gjithë zinxhiri. Spitali ka menduar dhe projektuar të ketë një linjë më vete për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të disa pajisjeve të tilla si dhe të sallës së ndërhyrjeve kirurgjikale.