E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më vjen keq vetëm për vëllain e tretë”

03/02/2010  Burg pa afat për Besim Karajin vrasësin e tre vëllezërve. Rrezikon burgim të përjetshëm
KORCE- Ndaj 40-vjeçarit, Besim Karaj, vrasësit të tre vëllezërve nga fshati Vidohovë i rrethit Devoll, u ekzekutua vendimi penal i gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë, e cila vendosi ndaj tij masën e arrestit “burg pa afat”. Autori i kësaj ngjarjeje akuzohet për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, si dhe për veprën penale të prodhimit dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve. Sipas të gjitha gjasave, Karaji rrezikon burgim të përjetshëm, parashikuar kjo nga neni 79 i Kodit Penal “vrasja e më shumë se dy personave”. Gjithsesi nga grupi hetimor vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje që çuan Besim Karajin drejt aktit kriminal të vrasjes së tre vëllezërve. Hetimi do të nxjerrë në pah jo vetëm shkaqet që sollën këtë konflikt, të cilat tashmë janë bërë të njohura, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis dy familjeve pas konfliktit, (pas kapjes së gruas në flagrancë), por dhe nëse Karaji i kishte kërkuar ndihmë policisë ose jo për konfliktin që kishte lindur mes familjes së tij dhe familjes Mulliri.
Masa e arrestit
Burime të policisë bënë të ditur se pas përfundimit të operacionit për kapjen e shtetasit Besim Karaj, i cili u arrestua në fshatin e tij të lindjes, në Thumanë të Fushë- Krujës, ku ai u vetëdorëzua, ndërkohë u morën masa edhe për transportimin e tij në drejtim të Korçës për t’ia dorëzuar policisë të këtij rrethi. Mësohet se mbërritja e Karajit në këtë qytet (nën masa të rrepta sigurie) është bërë e mundur rreth orës 21.00 të ditës së hënë. Pas mbërritjes së tij në Korçë, është ekzekutuar dhe vendimi penal i gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë. Ndërkohë burime të policisë saktësuan gjithashtu se në datë 02.02.2010 në orën 00.30 është bërë ekzekutimi i vendimit penal i gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë për shtetasin Besim Hamit Karaj i datëlindjes 10.01.1970, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë. Për këtë shtetas është vendosur masa e arrestit me burg për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga neni 79. Ky shtetas disa ditë më parë ka vrarë me armë zjarri 3 vëllezërit Mulliri, djem të Liljana Mullirit, e cila vetë është e dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një fëmijë 7 vjeç. Shtetasi Besim Karaj është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit model 56, kalibër 7.62 mm, në stacionin e Fushë -Krujës dhe është sjellë në Korçë nga forcat RENEA.
Nuk kam pasur pazar me vëllezërit Mulliri
Gjatë marrjes së Karait në pyetje, ky i fundit, ndërsa ka rrëfyer rrethanat në të cilat ndodhi vrasja e tre vëllezërve nga Devolli, ka dhënë edhe shpjegime të tjera për këtë ngjarje. Sipas tij, edhe pse ai kishte kapur në flagrancë me bashkëshorten e tij me njërin nga vëllezërit Mulliri, sërish nuk kishte menduar për të kërkuar ndihmën e policisë. Ndërkaq, Karaji ka bërë të ditur se pas lindjes së konfliktit ai nuk kishte pasur asnjë lloj pazari me tre vëllezërit, qoftë kjo për mbylljen e konfliktit apo për ndonjë çështje tjetër dhe aq më pak për ndonjë pazar në vlera monetare. Megjithatë, Besim Karai, ndërsa ka pranuar vrasjen e tre vëllezërve, ka treguar pendesë për vëllain e tretë, i cili fillimisht kishte mbetur i plagosur, por që më pas u nda nga jeta, teksa gjendej nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Ushtarak të Tiranës. “Për vëllain e tretë ndihem i penduar”, ka thënë ai
Masat
Familja e Karajit, e sigurt
Ndërkohë burime të policisë, pohuan se janë marrë të gjitha masat për shmangien e çdo situate që mund të krijohet në fshatin Vidohovë, veçanërisht për familjen e Karait, i cili la të vrarë tre vëllezërit Mulliri. Mësohet se deri më tani në këtë fshat nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi, ndërsa duket se shpirtrat e tyre janë qetësuar fill pas arrestimit të autorit të ngjarjes. Kjo ngjarje zuri fill, kur Besnik Karaji kapi në flagrancë bashkëshorten e tij, me njërin prej vëllezërve Mulliri dhe konkretisht me Tulant Mullirin. Nëse kjo ngjarje kishte ndodhur tre muaj më parë, duket se Besim Karaji mundi ta përballonte vetëm për kaq kohë, ndërsa më pas, ai do të hakmerrej duke vrarë të tre vëllezërit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›