Pas skrapit e barutit, donte leje për tritol

TIRANË - Gërdeci, fshati që tashmë ndodhet tërësisht i shkatërruar, duket se ka shërbyer si një burim i pazëvendësueshëm financiar për Mihal Delijorgjin, i cili shfrytëzonte në maksimum të gjithë nënproduktet që dilnin nga demontimi i predhave. Krahas shitjes së gëzhojave dhe barutit, lëndë këto që siguronin fitime të konsiderueshme, administratori i firmës “Albademil” ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes, që t’i krijohej mundësia për eksportin e majave të predhave, edhe pse brenda tyre ka sasi të konsiderueshme tritoli. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se në morinë e dokumenteve të sekuestruara për hetimin e çështjes, kanë arritur të sigurojnë të dhëna mbi kërkesat e Delijorgjit për shitjen e predhave. Krahas shitjes së barutit që dilte nga demontimi i predhave, Mihal Delijorgji ka bërë kërkesë në dikasterin e mbrojtjes për t’u pajisur me leje eksporti për majat e predhave të përftuara nga demontimi (ndarja e gëzhojës nga maja). Kjo kërkesë është administruar tashmë nga prokuroria, e cila po punon për sqarimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje, pasi predhat e kalibrit të madh kanë brenda tyre sasi të konsiderueshme lëndësh plasëse. Mësohet se kërkesa zyrtare e Delijorgjit ka mbërritur në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë muajit shkurt të këtij viti, kohë gjatë së cilës edhe ritmi i demontimit të predhave në Gërdec ka qenë tepër i lartë. Prokuroria aktualisht ka arritur të verifikojë faktin se, me gjithë kërkesën zyrtare të Delijorgjit, gjatë tre muajve të parë të vitit nuk janë eksportuar jashtë Shqipërisë maja predhash. Ende nuk janë saktësuar arsyet që penguan bosin e “Albademilit” në realizimin e këtij transaksioni, gjatë të cilit bashkë me skrapin, do të ishte shitur edhe tritoli që përmban maja e predhës. Sipas prokurorisë, mbetet ende i paqartë destinacioni dhe përdorimi që do të kishin këto predha, të cilët nuk do të shiteshin si skrap i zakonshëm, por si maja predhash të mbushura me tritol, pasi të gjithë municionet e kalibrit të madh, veç ndarjes së predhës nga gëzhoja, nuk i janë nënshtruar asnjë procesi tjetër çmilitarizimi, sepse në Gërdec nuk kishte makineri për kryerjen e një procesi të tillë. Por fakti që nuk janë eksportuar jashtë vendit maja predhash të kalibrave që nisin nga 2 mm deri në 152 mm, nuk përjashton dyshimin e organit të akuzës për shitjen e kësaj kategorie “skrapi” brenda vendit. Por, me gjithë dyshimet e ngritura nga grupi hetimor, mbetet ende mister funksioni dhe përdorimi i majës së predhës, e cila në brendësi të saj ka lëndë plasëse tip tritol, sasia e së cilës arrin deri në 300 gramë për predhat e kalibrit 122-152 mm.
Dyshimet për shitje tritoli
Kërkesa e Delijorgjit për eksportin e majave të predhave, të cilat janë tepër të rrezikshme, për shkak të lëndëve shpërthyese që bartin, ka vënë në lëvizje grupin hetimor, i cili po verifikon me imtësi destinacionin e skrapit brenda vendit. Mësohet se deri tani grupi hetimor ka arritur të gjejë dy pikat kryesore të tregtisë së skrapit që dilte nga demontimi i predhave në Gërdec. Sipas prokurorisë, rezulton se Delijorgji ka shitur skrap, me qëllime përfitimi në Korçë dhe Elbasan. Megjithëse kjo tregti konsiderohet e rregullt, pasi janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore, prokuroria ngreh dyshimin se bashkë me skrapin mund të jenë shitur edhe maja predhash me gjithë lëndën plasëse që ato përmbajnë.