E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: Kërcimi im në festë, çështje private

Dje në një konferencë me të gjithë aktorët kryesorë të sistemit shëndetësor, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, ka prezantuar draftin "Për shëndetin publik". "Është një pjesë shumë e rëndësishme e kuadrit legjislativ për shëndetësinë, për sa i takon reformës në shëndetësi. Ligji i Shëndetësisë, ligji për shëndetin publik dhe financimin e shëndetësisë, janë bazat ku mbështetet reforma. Kjo do të thotë se nëpërmjet këtij projektligji synohet mbrojtja e shëndetit, promovimi i jetesës së shëndetshme, më shumë fonde për parandalimin e sëmundjeve përmes veprimeve të organizuara", tha dje zv/ministri Ivanaj. Sipas tij, ky ligj propozohet në një kohë kur ka nisur procesi për reformimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë. Projektligji, synon të jetë një rregullator mes informimit, edukimit, parandalimit të sëmundjeve, promovimi i higjienës, jetesës së shëndetshme në familje, shkollë dhe ambientet e punës. Në një ekonomi tregu ku shërbimet shëndetësore janë objekt i shitblerjes, shteti ndërhyn përmes veprimeve të organizuara për të garantuar një jetesë të shëndetshme. Dje pas prezantimit të projektligjit, zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, i është përgjigjur interesimit të medias, duke sqaruar se kërcimi që ai ka bërë pak kohë më parë, mes kolegësh, në një nga festat e punës është çështje private e cila nuk bie ndesh me postin, detyrën, apo mungesën e seriozitetit në punë. "Komenti i bërë nga mediat për veprimet e mia në festën e kolegëve, është thjesht një këndvështrim dhe nuk ka lidhje me postin si zëvendësministër i Shëndetësisë. Se si kërcen një zëvendësministër në një festë private është çështje private, ndërsa posti i zëvendësministrit bazohet në meritokraci", tha numri dy i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sakaq, përfaqësues të Shëndetësisë të mbledhur për diskutimin e draftit, kanë komentuar se fija mes zhveshjes, kërcimit, skandalit apo moralit, ndahet nga këndvështrimi, botëkuptimi dhe kapaciteti personal i secilit individ të shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›