E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Investimet në infrastrukturë, energjetika përparësi”



Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, ka deklaruar dje gjatë forumit ekonomik “Crans Montana” se për të tërhequr më shumë investitorë të huaj duhen investuar ende në infrastrukturë, sidomos në energjetikë dhe në porte. “Qeveria do të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të porteve, ndërsa duhen vendosur standarde të reja për portet detare”, - tha Ministri Ruli. Ai ofroi dhe mbështetjen e tij për Ministrinë e Transporteve për mënyrën sesi do të zhvillohen këto standarde. Në seancë u trajtuan temat që lidhen jo vetëm me tregun energjetik në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të rajonit të Europës Juglindore, futjen e energjive të rinovueshme, krijimin e tregut të energjisë në këtë rajon, etj. Ministri Ruli paraqiti dhe strategjitë që qeveria po zhvillon, për t’ju larguar krizës së energjisë, duke rritur prodhimin e saj përmes ndërtimit të HEC-eve të vogla dhe të mëdha, ndërtimit të rrugëve të transmetimit të energjisë përmes linjave të interkonjeksioneve, si ajo me Malin e Zi dhe në perspektivë, edhe me Kosovën dhe Maqedoninë. Ai prezantoi dhe nevojën e ndërtimit të linjave të gazsjellësve dhe naftës, ku Shqipëria favorizohet nga pozicioni strategjik gjeografik, si dhe nxitjen për projektet e paraqitura nga investitorë të huaj për investime në këto fusha në Shqipëri. Në forum, veç përfaqësuesve të biznesit vendas dhe atij të interesuar për investime në Shqipëri, marrin pjesë dhe përfaqësues të forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›