E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonat turistike, furnizim pa ndërprerje me energji gjatë sezonit



Ervin Koçi

Zonat turistike të vendit këtë vit do të kenë furnizim me energji pa ndërprerje përgjatë gjithë sezonit veror. Kjo gjë është bërë publike dje nga kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, i cili e ka bërë të ditur këtë premtim duke siguruar se furnizimi me energji do të jetë “non-stop” në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, rezervat hidroenergjetike të vendit janë mjaft të mira dhe për më tepër KESH-i ka marrë edhe masa për çdo situatë thatësire të mundshme gjatë verës. “Situata e furnizimit me energji për këtë verë do të jetë mjaft e mirë në të gjithë vendin dhe zonat turistike do të kenë energji 24 orë në ditë”,- tha kreu i KESH-it, Bojaxhi. Ai ka thënë më tej se për këtë veprim Korporata ka rënë dakord edhe me bizneset në zonat turistike, me pushtetin lokal, por dhe me donatorët e KESH-it. Këto deklarata u bënë dje gjatë promovimit të aktivitetit për përdorimin e energjive alternative, i cili është zhvilluar në qytetin bregdetar të Durrësit, i njohur edhe si një prej zonave turistike me frekuentimin më të madh në vend, gjatë sezonit veror.

Projekti

Projekti “Energji e pastër”, i financuar nga Banka Botërore në kuadër të programit “Interreg III”, u prezantua dje në qytetin e Durrësit. Projekti që do të realizohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Veneto Distribuzione (Itali), po studion deficitin energjetik të vendit dhe mundësitë e përdorimit të potencialeve të energjive alternative për të plotësuar këtë deficit. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet tha se, “vendi ynë ka shumë burime alternative për prodhimin e energjisë dhe se ne synojmë të zhvillojmë, por edhe të stabilizojmë sektorin energjetik”. Ai ngriti si domosdoshmëri shtimin e numrit të HEC-eve dhe TEC-eve në vend. Sipas specialistëve, ngrohja me gaz e qendrave urbane, rrezatimi diellor (energjia fotovoltaike), burimet e erës (energjia eolike), energjia gjeotermale, e deri te një burim ende i pakonsideruar në Shqipëri, siç është trajtimi i mbetjeve të ngurta urbane në furra termike, janë disa nga potencialet e shumta që mund të përdoren në vendin tonë. Sipas studimit, ngrohja me gaz në zonat kryesore urbane dhe industriale do të reduktonte me rreth 20 për qind konsumin e energjisë elektrike. Sipas specialistëve, burimet alternative kanë përparësi ruajtjen e mjedisit.

Çmimi

Që të mos ketë rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë, KESH-i duhet të reduktojë importet dhe të ulë shpenzimet për punonjësit, rekomanduan përfaqësuesit e FMN-së. Aktualisht ekziston një plan ambicioz veprimi me donatorët për rritjen e arkëtimeve dhe uljen e humbjeve në rrjet. Megjithatë, sipas FMN-së, edhe pse procesi i privatizimit të KESH-it po ecën me hapa të shpejtë, niveli financiar mbetet problem. Sipas FMN-së, humbjet në rrjet shkojnë deri në 1,4 për qind të PBB-së dhe kjo do të thotë se këto humbje janë të barabarta, me më shumë se, gjysmën e shpenzimeve që qeveria shpenzon për shëndetësinë. Fondi lajmëroi se KESH-i është ende një problem për ekonominë shqiptare dhe sidomos për buxhetin e shtetit. Në këtë drejtim KESH-i është tashmë në presion që jo vetëm të përmirësojë arkëtimet por të ulë edhe koston e funksionimit të vet me qëllim që të përmirësojë situatën financiare.

Turizmi

Për herë të parë këtë vit turizmi u ngjit në krye të klasifikimit përsa u përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë me rreth 1 miliard euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi. Sipas statistikave të 9-mujorit 2007, prurjet nga turistët shënuan mbi 800 milionë euro. Mirëpo, zhvillimi spontan i pambështetur me strategji të qarta dhe cilësi shërbimesh, nuk mund të shndërrohet në një mjet të qëndrueshëm për të garantuar ritme të larta rritjeje.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›