Ruli: Kemi një president më pak dhe kryetar partie më shumë
TIRANË Anëtari i kryesisë së PD-së dhe njëkohësisht ministër i Bujqësisë, Genc Ruli ka deklaruar mbrëmë se Presidenti i Republikës e ka braktisur rolin e tij si President ende pa i mbaruar mandati. Ruli tha se axhenda e Topit është në funksion të Ramës, teksa përmendi kthimin e fundit në Kuvend të ligjit për plehrat nga Presidenti. “Presidenti kthen kur ligji bie dukshëm mbi Kushtetutën. Në një interpretim teknik që s’e ka bërë as teknik, kur ligji i sotëm sjell përmirësim të ndjeshëm me ligjin që ka ekzistuar deri më sot, i miratuar që në kohën e qeverive socialiste nuk mund të gjente si pretekst. Kjo është një axhendë politike që po realizohet, që do të thotë bllokimi i ligjeve, jo vetëm i ligjeve me 3/5-at që Rama i bllokon vetë në parlament, por edhe i ligjeve me 50+1%, në qoftë se nuk e bën dot në parlament, do ta bëjë nëpërmjet institucionit të Presidencës. Presidenti haptazi ka hequr xhaketën konstitucionale të Presidentit. Ne sot kemi një president më pak dhe kemi një aktor partiak ose kryetar partie më shumë në terrenin politik”, - u shpreh ai.