SHBA: Kërkojmë përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODIHR
SHBA-të inkurajojnë gjithashtu të gjitha partitë politike që të heqin dorë nga retorikat politike ndarëse, në favor të dialogut konkret politik, për të rritur besimin e popullit shqiptar në sistemin e tyre demokratik
VJENË I ngarkuari me punë i SHBA-së në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Gary Robbins ka adresuar gjatë një takimi special të këtij Këshilli disa rekomandime ku duhet të mbështeten partitë politike për reformën zgjedhore. Ai ka përshëndetur fjalën e mbajtur në këtë takim nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, duke theksuar se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në dy dekadat e fundit në forcimin e demokracisë. Duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, zyrtari i lartë amerikan tha se raporti përgjithësisht pozitiv i ODIHR-it lidhur me këto zgjedhje dëshmon progresin e Shqipërisë, por raporti bën dhe disa vërejtje në këtë proces. Ndaj sipas zyrtarit të lartë amerikan, SHBA inkurajon implementim të plotë të rekomandimeve të raportit të ODIHR-it, veçanërisht të amendamenteve për Kodin Elektoral, në mënyrë që të adresohet vlefshmëria e votave në kutitë e gabuara, adoptimi i procedurave për përfshirjen e këtyre votave në tabelën e rezultateve etj. “Ne inkurajojmë përmbushjen e plotë të rekomandimeve të Raportit të OSBE-së, veçanërisht vërejtjet për Kodin Zgjedhor, me qëllim që të mos adresohet vota e vlefshme në kutinë e gabuar, që të adoptohen procedurat për përfshirjen e votave të tilla në tabelën e rezultateve dhe, zhvillimi i procedurave të vazhdojë në rastet e mospërputhjeve, kur numri i votave të hedhura e kapërcen numrin e votave të nënshkruara në listën e votimit. Kodi Elektoral duhet gjithashtu të përfitojë nga rishikimi i votave përfundimtare të kontestuara dhe të procedurave për kontestimin e votave”, - tha Robins gjatë fjalës së tij. SHBA-të inkurajojnë gjithashtu të gjitha partitë politike që të heqin dorë nga retorikat politike ndarëse në favor të dialogut konkret, politik, për të rritur besimin e popullit shqiptar në sistemin e tyre demokratik. “Ne ju vlerësojmë juve dhe qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin me Praninë e OSBE-së në Shqipëri. Ne morëm nga Prania e OSBE-së në Tiranë, informacionin për ditët e tensionuara të Janarit të këtij viti dhe për bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare me Ambasadorin Wolfarth dhe, stafi i tij e siguroi Këshillin e Përhershëm për zhvillimet dhe se OSBE-ja ishte e aftë të kontribuonte për uljen e tensionit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë të shfrytëzojë raportet e saj me Praninë e OSBE-së për vazhdimin e reformave”, - tha ai. Së fundi, SHBA-ja ka përshëndetur edhe propozimin e qeverisë shqiptare për nevojën e stabilitetit në rajon, duke besuar se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv për paqen dhe bashkëpunimin. “Suksesi në rajon varet nga bashkëpunimi i ngushtë rajonal, një fakt i theksuar edhe nga raportet e tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja ripërsërit mbështetjen e saj për një Kosovë të pavarur, multietnike dhe demokratike. Ashtu si ju, ne nënvizojmë rëndësinë e vazhdimit të angazhimit të BE-së për të lehtësuar dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, që do të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve”, - tha ai.