Shembet suvaja tek infektivi, plagosen dy paciente
Punimet e një firme ndërtimi në katin e dytë në spitalin infektivit në QSUT-së për pak sa nuk kanë rezultuar fatale për jetën e dy pacienteve dhe mjekut. Në katin e parë në momentin kur mjeku po vizitonte pacientin dhe në paradhomën e ekografisë po priste një paciente tjetër, ka rënë një pjesë e suvasë. Për pasojë kanë mbetur të plagosur dy pacientet dhe mjeku, por pa rrezik për jetën. Drejtorja e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, ka pohuar se firma punonte pa kontratë dhe pa marrë asnjë masë sigurie. Ndërkohë, ngjarja e djeshme ka ndodhur për të dytën herë në një hark kohor prej 5 muajsh. Në të njëjtin vend është shembur suvaja, ndërkohë që mjekët po kryenin vizitat mjekësore normalisht.
Ngjarja
Kësaj radhe ngjarja e përsëritur ka pasur pasoja. Kështu, kanë mbetur të plagosur dy paciente dhe mjeku. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur në katin e parë në kabinetin e ekografisë, mjeku Artan Harxhi po kryente ekon një pacienteje, ndërsa një tjetër priste në paradhomë. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash kur suvaja është shkëputur nga tavani duke goditur në kokë dy pacientet dhe mjekun.
Për pasojë kanë mbetur të plagosura dy pacientet. Në ndihmë të tyre ka shkuar shërbimi i urgjencës duke u dhënë atyre ndihmën e parë mjekësore. Pacientët e lënduara janë Nafije Kryemadhi, e cila ndodhej e shtruar në spitalin infektiv dhe pas aksidentit përveç mjekimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është dërguar edhe në Spitalin Ushtarak në repartin e Traumatologjisë.
Pas ekzaminimeve pacientja është risjellë sërish në spitalet universitare. Ndërsa pacientja tjetër, Xhevrie Xhafa e afërme e saj, ka pasur vetëm disa lëndime të lehta por pa rrezik për shëndetin. Ndërkohë që mjeku Artan Harxhi që po kryente EKO-n pas marrjes së ndihmës mjekësore nuk shfaqi më probleme.
Stafi mjekësor dhe pacientët ishin tejet të tronditur, madje ata trembeshin t’i ktheheshin punës normale. Sipas tyre, është anormale që ndërkohë që po kryhen punimet, të mos merren masat e sigurisë.
Punimet
Pas ngjarjes së ndodhur mjeku Harxhi ka ndërprerë punën. Të gjitha ekzaminimet e vendosura për ditën e djeshme janë shtyrë. Kabineti i ekos ka mbyllur dyert deri në riparimin e suvasë dhe përfundimin e punimeve në katin e sipërm. Pas ngjarjes ka reaguar drejtorja e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli. “Kemi kërkuar nga firma e ndërtimit të lidhë një kontratë me ne për kontrollin e sigurisë të ambientit. Ne kemi kërkuar që të mos nisin punimet pa u konsultuar më parë me QSUT-në”.
Më tej, drejtorja shpjegoi se rrëzimi i pjesës të tavanit në dhomën e ekografisë në spitalin infektiv ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryheshin një kat më lart, në kuadër të rregullimit të ambienteve të reanimacionit të infektivit, në sajë të një projekti të Bankës Botërore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë për parandalimin e influencës (gripit të shpendëve).
Sipas drejtorisë së QSUT-së, ajo është vetëm përfituese nga ky projekt, pasi ambientet e rikonstruktuara do të përdoren për të gjithë të sëmurët që kurohen aty, i kishte kërkuar firmës që po kryente rikonstruksionin të mos fillonte punën, pa rregulluar ambientet në katet e mëposhtme të godinës, pasi ishte liruar vetëm kati ku po punohej.
Pacientët
Pacientët e lënduara janë Nafije Kryemadhi, e cila ndodhej e shtruar në spitalin infektiv dhe pas aksidentit përveç mjekimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është dërguar edhe në Spitalin Ushtarak në repartin e Traumatologjisë. Pas ekzaminimeve pacientja është risjellë sërish në spitalet universitare. Ndërsa pacientja tjetër, Xhevrie Xhafa, e afërme e saj, ka pasur vetëm disa lëndime të lehta, por pa rrezik për shëndetin. Ndërkohë që mjeku Artan Harxhi që po kryente ekon pas marrjes së ndihmës mjekësore nuk shfaqi më probleme.
Hetimet
Pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme kur ra tavani i një kati dhe ku u plagosën dy persona, në vendngjarje shkoi policia, e cila ngriti një grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e rënies së tij. Sipas burimeve nga policia, tavani ka rënë për shkak të punimeve që po kryheshin nga punëtorët një kat më sipër. Sipas burimeve nga policia, duhet të ishin marrë masat e sigurimit për të mos lejuar që gjatë kohës që po kryheshin punimet të lejoheshin që të kryheshin vizita një kat më poshtë. Sipas deklaratave nga QSUT-ja, ata nuk ishin në dijeni të fillimit të punimeve.