Tregtia e jashtme, eksportet pësojnë ulje në janar 2009
Tregtia e jashtme rezulton me bilanc negativ për muajin janar 2009. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin janar të vitit 2009 u eksportuan 6.6 miliardë lekë mallra, me ulje 11.6 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Importet për këtë muaj janë 27.8 miliardë lekë me një ulje 10.5 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe rënie 35.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 21.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20.3 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008 dhe një ulje prej 41.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 69.3 për qind. Në krahasim me muajin paraardhës janë rritur eksportet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” 24.1 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” 11.3 për qind, “Tekstile dhe këpucë” 7.4 për qind. Ndërsa eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 32 për qind etj. Në krahasim me muajin dhjetor 2008 janë ulur importet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” 42.1 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” 39.2 për qind.