KE jep 1 milion euro për universitetet publike
KE dhe BE: Fondi, në ndihmë të arsimit në Ballkan
Fondi do të shkojë për modernizimin e arsimit të lartë
Një milion euro, është kjo shifra që përfiton arsimi i lartë në vend nga buxheti i Programit të Tempusit të Komisionit Evropian. Fondi i dhënë nga KE-ja synon që të modernizojë arsimin e lartë përtej kufijve të Bashkimit Evropian, duke përafruar kështu standardet e universiteteve shqiptare me ato evropiane.
Buxheti
Këtë vit buxheti i Tempusit prej rreth 1 milion euro, i parashikuar për Shqipërinë, financon projekte të përbashkëta, të cilat janë partneritete shumëpalëshe mes institucioneve të arsimit të lartë në BE dhe atyre në vendet partnere. Duke u bashkangjitur me këtë qëllim, përfaqësues të Komisionit Evropian, Ministrisë shqiptare të Arsimit dhe Shkencës, qarqeve akademike, zyrtarë të marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe studentë u mblodhën dje në Ditën Kombëtare të Informacionit, për të prezantuar thirrjen e vitit 2009 për projekte “Tempus”, një skemë lëvizshmërie për studime universitare përtej Evropës, së bashku me “Erasmus Mundus”, gjithashtu një program bashkëpunimi dhe lëvizshmërie për arsimin e lartë.
Projekti
Projekte të tilla zhvillojnë, modernizojnë dhe shpërndajnë kurrikulume të reja, metoda dhe materiale mësimore, si edhe sisteme të menaxhimit dhe qeverisjes së institucioneve të arsimit të lartë. Gjithashtu, do të financohen edhe masa strukturore, të cilat kanë si qëllim lehtësimin e procesit reformues të institucioneve dhe sistemeve të arsimit të lartë në vendet partnere, në mënyrë që të rritet përputhshmëria e tyre me zhvillimet brenda BE-së. Nëpërmjet këtyre masave, BE-ja i ndihmon në mënyrë konkrete vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisin standardet në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Falë programit “Tempus”, 9 projekte janë duke u zbatuar në Shqipëri, shtatë nga të cilët burojnë nga thirrja e vitit 2008.
Gjatë Ditës Kombëtare të Informacionit për Tempus, të mbajtur pjesëmarrësit diskutuan për përvojat dhe përfitimet e tyre nga ky program. Znj. Martine Dere e Komisionit Evropian prezantoi thirrjen e re, si edhe Dritaren e Bashkëpunimit të Erasmus Mundus.
Duke theksuar rëndësinë e Tempus-it për reformën në arsimin e lartë në vend, z. Thomas von Handel, shefi në detyrë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, vuri në dukje se “të gjithë universitetet shtetërore dhe praktikisht të gjithë fakultetet kanë marrë pjesë në Tempus, duke arritur të zgjerojnë fushat e studimeve sipas përparësive me të cilat u përball i gjithë sistemi i arsimit të lartë”. Sipas tij, programi ka pasur ndikim të madh mbi cilësinë e përgjithshme të arsimit të lartë.
Gjithashtu, Shqipëria mund të përfitojë nga Dritarja e Bashkëpunimit të Jashtëm të Erasmus Mundus për Ballkanin Perëndimor, e cila jep 8.5 milionë euro të tjera për rajonin.