Ruli: Qeveria ka realizuar hapa të rëndësishëm në drejtim të klimës së biznesit
Qeveria shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, ndërsa rezulton me nivelin më të ulët të taksave në rajon dhe më gjerë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi të enjten në Tiranë, gjatë punimeve të forumit të dytë ekonomik greko-shqiptar, se "situata e favorshme dhe relativisht solide në kuptimin e zhvillimeve makroekonomike dhe një klimë e konsoliduar e biznesit, me tërë lehtësitë që ofrohen dhe mundësitë që i jepen atij për t'u zhvilluar aktivitetet e tij, janë garancia numër një në prekjen më pak dhe në kalimin më shpejt të krizës ekonomike". Në këtë kuadër, theksoi ministri Ruli, sipas raportit të Bankës Botërore "Të bësh biznes" Shqipëria cilësohet si vendi i dytë mes vendeve që janë në një proçes intensiv reformash për cilësinë dhe shpejtësinë e ndërmarrjes së reformave. "Kjo padyshim është shfaqur në disa tregues dhe indikatorë ekonomike, si fluksi i investimeve të huaja, që në vitin 2007 ka shënuar një rritje prej 74 % krahasuar me vitin 2006 dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 është rritur me 65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të viti 2007", nënvizoi ministri Ruli, duke shtuar se treguesi relativ i investimeve të huaja në raport me Prodhimin Bruto shënon 6.2 %, në një kohë kur në vitin 2006 ka qënë vetëm 3.6 %. "Hapi është tepër cilësor, megjithatë Shqipërisë ende i duhet një tregues më i lartë sesa ky, sidomos po të krahasohemi me vendet e rajonit, të cilat kanë nje aftësi më të madhe tërheqëse dhe absorvuese të investimeve të huaja", deklaroi Ruli. Kreu i METE-s u shpreh se reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria, krahas aspektit të harmonizimit të legjislacionit, kanë krijuar një kooperim më të mirë shkëmbimesh tregtare. "Kjo përbën faktin që Greqia të jetë jo vetëm një nga partnerët tanë kryesore, por edhe shfaqjen në hartën e Ballkanit të Shqipërisë si partner i rëndësishëm tregtar mes një tregu të rëndësishëm investimesh për biznesin grek",-tha Ruli, duke shtuar se Greqia luan një rol parësor në investimet e huaja direkte në Shqipëri. "Afërsia gjeografike, niveli i marrëdhënieve politike, lehtësia e biznesit grek tashmë për t'u njohur dhe përshtatur me realitetin shqiptar, prezenca e një faktori lidhës, që është emigracioni shqiptar në Greqi, janë disa nga arsyet që shpjegojnë këtë prezencë prioritare të kapitalit grek në ekonominë shqiptare", u shpreh ministri Ruli. Sipas tij, shumë kompani greke kanë investuar dhe janë prezente në sektorë prioritarë të ekonomisë si në telefoninë celulare, sistemin bankar, por edhe në sektorë të tjerë si industri tekstilesh dhe këpucë dhe në industrinë minerare. "Eksportet e vitit 2007 rezultojnë me një rritje 10 % dhe importet 16 %, por edhe gjatë gjashtëmujorit të vitit 2008 në krahasim me atë të vitit 2007 ka rritje të eksporteve shqiptare drejt Greqisë në masën 30 % dhe të importeve në masën 22 %", nënvizoi ai. Duke u ndalur në reformat, ministri Ruli deklaroi se Shqipëria gjithmonë e më shumë mundohet të ofrojë elementë garantues në formën e legjislacionit. "Në vitin 2008 u miratua një ligj për investitorët vendas dhe të huaj, ligji "Për shoqëritë tregtare", që i përgjigjet standardeve më të mira të BE-së, duke ofruar edhe një mbrojtje të mirë për investitorët, ndërsa fut edhe risinë e mbrojtjes së aksionerëve në minorancë", u shpreh Ruli, ndërsa shtoi se Shqipëria ka nënshkruar rreth 32 marrëveshje të mbrojtjes reciproke dhe nxitjes së investimeve me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe një sërë marrëveshjesh për mënjanimin e tatimit të dyfishtë. "Stabiliteti makroekonomik, i cili nuk ka pësuar dhe nuk presim që në periudha relativisht të shkurtra kohore të ketë ndonjë lëvizje nga ai nivel treguesish deri më sot, me një rritje ekonomike rreth 6 % dhe nivel inflacioni 2-3 %, po shoqërohet gjithnjë e më shumë me një mjedis stabël dhe miqësor ndaj investitorit", theksoi Ruli. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit për Zhvillim të Greqisë, Nikolaos Tachiaos, theksoi se Greqia jo vetëm është e pranishme në Shqipëri, por zë vendin e parë ndërmjet shteteve të huaja pasi mbulon 30 % të totalit të invesitmeve të huaja direkte. Sipas tij, 270 shoqëri me interesa greke kanë investuar afërsisht 550 milion euro në sektoin bankar dhe siguracione, në telekomunikacion, në ndërtim, në transport, në tregun e karburanteve, etj. "Marrëdhëniet tregtare janë të mira, por mund të bëhen edhe më të mira, mjafton që të dy vendet të shfrytëzojnë avantazhet e fqinjësisë, të dhënat e përbashkëta historike dhe marrëdhëniet e mira politike", deklaroi Tachiaos. Në këtë drejtim ai u shpreh se "emigrantët shqiptarë në Greqi përbëjnë një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e vendit tim, duke qënë 40 % e numrit total të emigrantëve në Greqi ", ndërsa shtoi se "pranimi i këtij fakti tejkalon steriotipet që shoqëruan fillimin e lidhjeve të popujve tanë në fillim të viteve 1990 dhe vërteton se sa të rëndësishme janë jo vetëm qenësia e përbashkët e fqinjësia e mirë, por edhe kontakti i përditshëm i popujve" ...