E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Rritja e çmimit të dritave, e pashmangshme

Shqiptarët do të hasen sërish me një rritje të tarifave të energjisë elektrike, e parashikuar të kryhet gradualisht në pesë vitet e ardhshme.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka përsëritur planin e ardhshëm të rritjes së tarifave, duke e lidhur me faktin se nivelet aktuale nuk përputhen me koston.

I pranishëm në Forumin e parë të Çështjeve Sociale në kuadër të Traktatit të Komitetit të Energjisë, ministri foli për vështirësitë që po has sektori energjetik në vend. I gjithë problemi lidhet me mungesën e burimeve energjetike, edhe pse kuadri ligjor i miratuar së fundmi lejon çdo lloj forme të prodhimit, përfshi edhe atë atomik.

Kreu i Energjetikës deklaroi në konferencën për shtyp se kanë nisur negociatat me kompaninë çeke "Çez", për hartimin e kontratës. Pjesë e negociatave midis palëve është bërë çmimi i energjisë elektrike, ku kompania private anon nga kahu i rritjes së tarifave.

Ministri Ruli garantoi se për 2009-ën nuk do të ketë rritje të çmimit për konsumatorët shqiptarë, duke u nisur nga disa faktorë, të cilët lidhet më shumë me nivelin e humbjeve teknike.

Pra, nëse kompania "Çez" arrin të përmirësojë dukshëm nivelin e humbjeve në rrjet, OSSH nuk do ta shohë të arsyeshme rritjen e çmimit, kjo të paktën për në 2009-ën. Megjithatë, ministri Ruli tha hapur se rritja e tarifave është e pashmangshme, për aq kohë sa energjia elektrike ofrohet me një tarifë nën kosto.

Ai tha se objektivi politik i qeverisë shqiptare për privatizimin e sektorit të energjisë elektrike, natyrisht që ka marrë në konsideratë dhe rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat do të synojnë që të mbulojnë kostot, si dhe eliminimin e ndërsubvencioneve ndërmjet grupeve të ndryshme të konsumatorëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›