E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bumçi: Kthimi i kodit nga Topi, veprim i pamatur

Partia Demokratike reagoi dje për kthimin e Kodit Zgjedhor nga Presidenti Bamir Topi, duke e cilësuar këtë veprim, si të pamatur, jo të saktë, si dhe dashakeqësisht të gabuar. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, deklaroi dje se Presidenti i Republikës, Topi, me kthimin e Kodit Zgjedhor të miratuar me 112 vota në Kuvend, “është një veprim i pamatur”. Sipas Bumçit, Presidenti nuk ka lexuar siç duhet Kodin e ri, si dhe po sipas tij, nuk ka pasur vullnetin e mirë për ta kaluar këtë Kod. “Presidenti i Republikës i ktheu për rishqyrtim Kuvendit Kodin Zgjedhor, me justifikimin se ka mospërputhje mes Kushtetutës dhe kodit për datën e zgjedhjeve. Ky është një veprim i pamatur. Leximi në këtë formë i kodit zgjedhor është, në rastin më të mirë jo i saktë dhe, në rastin më të keq dashakeqësisht i gabuar, pasi afati nëntëmujor nuk lidhet me dekretimin e datës së zgjedhjeve, por me mbarimin e mandatit të Kuvendit”, - deklaroi Bumçi. Zëdhënësi i PD-së komentoi edhe arsyen e kthimit të kodit nga ana e Presidencës, e cila kishte të bënte me afatin e shpalljes së zgjedhjeve. Bumçi deklaroi se “edhe në rastin e tejkalimit të këtij afati nuk do të kishte asnjë shkelje kushtetuese”. “Nëse do të ekzistonte vullneti i mirë për të kaluar Kodin Zgjedhor, afati i dekretimit të zgjedhjeve nëntë muaj para afatit të mbarimit të mandatit të Kuvendit (shtator) do të ishte përmbushur. Edhe në rastin e tejkalimit të këtij afati nuk do të kishte asnjë shkelje, pasi kapërcimi për rastin në fjalë nuk do të sillte pasoja juridike”, - deklaroi zëdhënësi i PD-së. Në deklaratën e tij, Bumçi i kujtoi Presidentit kandidaturat për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, që sipas tij, ishin propozime “me vonesa shumë të gjata kohore në mënyrë të pajustifikuar”. “Në të njëjtën kohë, vëmë në dukje se Presidenti i Republikës nuk ka respektuar afatet kushtetuese në rastet e propozimit të kandidaturave për gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe kryetar të Gjykatës së Lartë, ku të gjitha kandidaturat janë propozuar me vonesa shumë të gjata kohore, në mënyrë të pajustifikuar. E njëjta gjendje është përsëritur edhe në rastin e kandidaturave për kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive”, - përfundoi deklaratën e tij zëdhënësi i PD-së, Aldo Bumçi.

Deklaratë e plotë e zëdhënësit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi

Presidenti i Republikës i ktheu për rishqyrtim Kuvendit Kodin Zgjedhor, me justifikimin se ka mospërputhje mes Kushtetutës dhe kodit për datën e zgjedhjeve. Ky është një veprim i pamatur.

Leximi në këtë formë i Kodit Zgjedhor është, në rastin më të mirë jo i saktë dhe, në rastin më të keq dashakeqësisht i gabuar, pasi afati nëntëmujor nuk lidhet me dekretimin e datës së zgjedhjeve, por me mbarimin e mandatit të Kuvendit. Nëse do të ekzistonte vullneti i mirë për ta kaluar Kodin Zgjedhor, afati i dekretimit të zgjedhjeve nënte muaj para afatit të mbarimit të mandatit të Kuvendit (shtator) do të ishte përmbushur. Edhe në rastin e tejkalimit të këtij afati nuk do të kishte asnjë shkelje, pasi kapërcimi për rastin në fjalë nuk do të sillte pasoja juridike.

Në të njëjtën kohë, vëmë në dukje se Presidenti i Republikës nuk ka respektuar afatet kushtetuese në rastet e propozimit të kandidaturave për gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe kryetar të Gjykatës së Lartë, ku të gjitha kandidaturat janë propozuar me vonesa shumë të gjata kohore në mënyrë të pajustifikuar. E njëjta gjendje është përsëritur edhe në rastin e kandidaturave për kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›