Ruli gjen zgjidhjen për stoqet e kromit në Bulqizës

Kështu, ka qenë një vendim i Ministrisë së Ekonomisë, i këtyre ditëve, me nr. 146, datë 17.08.2008, sipas të cilit, dy stoqet A dhe B në Zonën D (pjesa jugore e minierës), të administrohen me leje minerare shfrytëzimi nga Bashkia Bulqizë, sipas “Ligjit Minerar të Shqipërisë, nr. 7796, datë 17.02.1994 (i ndryshuar).
Ky administrim nga ana e bashkisë do të bëhet duke ngritur apo caktuar një shoqëri nën administrimin e saj. Kjo do të mundësonte angazhimin e të gjithë potencialit të nevojshëm inxhiniero-teknik vendas, pasi aktualisht Bulqiza ka mjaft inxhinierë miniere, gjeologë, markshajder të paangazhuar në punë.
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, u shpreh për “Shqip”, se “kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë për bashkinë, por nisur nga fakti që bashkia që unë drejtoj ka pasur dhe ka në qendër të vëmendjes së saj punësimin e banorëve të qytetit dhe zbutjen e varfërisë dhe dukurive të tjera sociale që këta banorë ndeshin, bashkia mund dhe do të bëjë më të mirën për administrimin e këtyre stoqeve”.
Natyrshëm që, në bazë të këtij administrimi, bashkia do të marrë përsipër edhe transportin e mineralit konform rregullave për këtë qëllim, si dhe do të marrë masa drastike për të respektuar rregullat e sigurimit teknik, për kushte të sigurta gjatë punës për punëtorët e punësuar në këta stoqe.
Gjithashtu mësohet se shoqëria e krijuar apo kontraktuar nga bashkia, do të aplikojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore mënyrën aktuale të shpërblimit për punëtorët, duke eliminuar sekserët e pa licencuar, që ua blejnë banorëve kromin që ata mbledhin në stoqe për një copë bukë, nga 5 lekë deri në 8 lekë për çdo kilogram të mbledhur prej tyre.