Presidenti Topi anulon vizitën në Mal të Zi
TIRANE- Trazirat në shtetin fqinj, Malin e Zi shtynë vizitën e Presidentit Bamir Topi për në këtë vend. Stafi i Presidentit malazez, Vujanoviç, pasi analizoi situatën e sigurisë në vend, ka lajmëruar palën shqiptare që vizita e Topit të bëhet “në një kohë më të përshtatshme”. Vizita e Presidentit shqiptar pritej të zhvillohej nga datat 21-22 tetor, ku mes të tjerave, Presidentit do të zhvillonte takimet me krerët e lartë të shtetit, me përfaqësuesit shqiptarë në parlament dhe në qeveri. Protestat e përkrahësve të Serbisë, kryesisht të iniciuara nga opozita malazeze që njihet si pro serbe, nisën që me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti malazez. Protestuesit javën e kaluar mbërritën deri pranë parlamentit malazez, ku në përleshje me policinë u plagosën 30 vetë. Pas kësaj proteste policia arrestoi 35 persona dhe dha urdhër që nuk do të lejonte protesta më në Podgoricë. Edhe pse pati protestë të dhunshme, Presidenti malazez, Vujanoviç u shpreh se në vendimin e qeverisë dhe shtetit të tij nuk do të ketë asnjë ndryshim sa i takon njohjes së pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas kësaj njohjeje, Serbia tërhoqi ambasadorin e saj nga ky vend, duke e dënuar veprimin e Malit të Zi, i cili u mor menjëherë sapo Serbia arriti një “fitore” diplomatike në OKB.
Gjithsesi, një situate e tillë është konsideruar si e papërshtatshme për vizitën e Presidentit shqiptar. Topi pati zhvilluar muaj më pare një vizitë informale në Mal të Zi, ku në Ulqin është takuar me Presidentin Vujanoviç kokë më kokë për të diskutuar mbi situatën në rajon pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo do të ishte vizita e pare zyrtare e Topit në Mal të Zi, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira, si politike, ekonomike dhe shoqërore. Në një afat tjetër, kur të njoftohet nga pala malazeze, kjo vizitë mund të kryhet dhe pritet që Presidentin shqiptar ta shoqërojë një delegacion i madh, ashtu siç ishte ai që e shoqëronte në Itali.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)