Granatë firmës ndërtuese se i zaptoi truallin
Firma "Kora" shpk, kishte fituar një leje ndërtimi për ngritjen e një pallati në zonën e 'Ali Demit', në Tiranë. Sipas dëshmisë së autorit të shpërthimit, firma kishte nisur punimet pa e shpërblyer më parë atë, që ishte pronari i truallit.
TIRANE- Konfliktet e pronësisë për pak sa nuk kanë shkaktuar një tragjedi të vërtetë në një nga zonat më të populluara në Tiranë. Elton Bendi, 32 vjeç, ka sulmuar me granatë zyrat e firmës së ndërtimit "Kora" shpk, që ndodhej në katin e dytë të një pallati prapa stadiumit 'Dinamo', vetëm pak metra larg nga 'Zayed Center'. Për fat të mirë nuk ka pasur asnjë të lënduar, por vetëm dëme materiale. I dyshuari si autor i ngjarjes së rëndë, që ka tronditur banorët e zonës, është vënë në pranga. Ai ka pohuar se firma "Kora" i kishte zaptuar me të padrejtë një truall në pronësi të tij, në afërsi të shkollës "Ali Demi" dhe kishte nisur të ndërtonte një pallat disakatësh. Ndërsa pronari i firmës së ndërtimit, Meleq Kora ka deklaruar në polici se nuk ka asnjë konflikt dhe personin që ka shpërthyer granatën nuk e njeh. Burime policore bënë me dije se po hetohet në disa pista, ku me kryesorja është ajo e konflikteve të pronësisë.
Shpërthimi
Shpërthimi që tronditi banorët e zonës më të populluar në kryeqytet ndodhi rreth orës 20.10 minuta të mbrëmjes. Banorët të terrorizuar kanë dalë menjëherë nga shtëpitë për të parë se çfarë kishte ngjarë. Ambientet e firmës së ndërtimit "Kora" shpk, që ndodhet në një pallat katërkatësh prapa stadiumit 'Dinamo', ishin dëmtuar keqas nga shpërthimi i një granate. Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë krerët e policisë së Tiranës, si dhe mjaft ekspertë të antiterrorit e antikrimit. Në pranga është vënë Elton Bendi, 32 vjeç, i cili dyshohet të jetë autor i shpërthimit të granatës. Burime policore thanë se Bendi ka pasur me vete dy granata si dhe municione të ndryshme. Vetëm njëra nga granatat ka shpërthyer, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme firmës së ndërtimit. Bendi është shprehur në polici se me pronarin e firmës "Kora" kishte konflikt, pasi i kishte zaptuar truallin dhe kishte nisur ndërtimin e një pallati pa shpërblyer me parë atë. Por të kundërtën ka pohuar Meleq Kora.
Dëshmia
Firma "Kora" shpk, me seli në Dyshnik, Berat e ka shtrirë aktivitetin e saj në fushën e ndërtimit në Tiranë. Vetëm pak muaj më parë, kjo firmë ka marrë me qira, ambientet e katit të dytë të pallatit ku ndodhi dhe shpërthimi. Pronari i firmës, Meleq Kora nga Berati, deklaroi për "Gazeta Shqiptare" se "nuk ka asnjë konflikt me asnjeri dhe personi që është shoqëruar si i dyshuar për ngjarjen nuk ka lidhje me të". Ai ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë problem as me tenderat, pasi për vite me radhë Agjencia e Prokurimit Publik e kishte përjashtuar nga pjesëmarrja nga çfarëdolloj tenderi të shpallura nga administrata shtetërore, pasi kjo firmë ka rezultuar me parregullsi në paraqitjen e dokumentacioneve në tendera.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)