E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli premton energji pa ndërprerje për festa

Ministri i energjetikës, Genc Ruli garanton energji pa ndërprerje në ditët e festave të fundvitit. Duke folur për situatën hidrike në vend, ministri e ka cilësuar përgjithësisht të mirë, ndërsa ndërprerjet i ka justifikuar me avaritë në rrjet 

TIRANE- Qeveria premton furnizim pa ndërprerje me energji elektrike gjatë ditëve të festave, por edhe për periudhën në vijim. Ministri i Energjetikës ka deklaruar se situata energjetike në vend është përmirësuar ndjeshëm, për shkak edhe të reshjeve të bollshme. Ai ka shpjeguar se ndërprerjet në furnizimin me energji kanë ndodhur për shkak të defekteve në rrjet, për të cilat janë marra masa që të riparohen në kohë gjatë ditëve të festave. “OSSH është duke marrë të gjithë masat për të siguruar bazën materiale, për të siguruar personelin në mënyrë që gjatë ditëve të festave të minimizohen ndërprerjet për shkak të avarive. Ministri Ruli ka bërë publike edhe shtyrjen e mbylljes së kontratës së privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me kompaninë CEZ për vitin e ardhshëm. Duke i konsideruar të vështira negociatat, Ruli ka deklaruar se për shkak të festave, ato janë ndërprerë për një periudhë dy javore. “Jemi në periudhë fundviti, dhe si rrjedhim kemi një pezullim të negociatave për një periudhë 15 ditore. Nga ana e KESH dhe OSSH-së po përgatiten disa materiale shtesë që i duhen si Bankës Botërore dhe CEZ-it, për ti rifilluar përsëri negocimet në fillim të Janarit”- tha ministri Ruli. Kreu i energjetikës ka deklaruar gjithashtu se vështirësi po haset në negocimin e aseteve të OSSH-së, borxhet që i kanë kësaj kompanie në vite konsumatorët, përfshi këtu institucionet shtetërore, si dhe humbjet që do të ketë investitori privat për shkak të amortizimit të rrjetit dhe vjedhjeve.

(O.Zhupa/ BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›