Bullgaria fiton 1-0 me Rumaninë

Albania Sport - Bullgaria do ta kujtojë Shqipërinë për një kohë të gjatë për gjëmën që u ka bërë, duke i nxjerrë jashtë finaleve të Kampionatit Europian. Janë dy barazimet me Kombëtaren tonë, të konvertuara në katër pikë të humbura për atë bullgare që i hoqën mundësinë formacionit të Hristo Stojckovit (të shkarkua), Stanimir Stojlovit (të komanduar) e aktualisht Dimitar Penevit të ishte një ndër 16 ekipet që do të merrnin pjesë në finalet e Austrisë dhe Zvicrës. Dhimbja për bullgarët bëhet më tragjike sot, kur ata fituan me kryesuesen e grupit, Rumaninë, me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të Velizar Dimitrovit në minutën e 6-të. Një fitore e arritur me urrejtje ndaj rivalit historik të tyre në mitikun "Vasil Levski". Bullgaria do të luajë me Slloveninë në transfertë, më 21 nëntor, ndërsa Rumania do të presë Shqipërinë në Bukuresht. Kombëtaren tonë e pret një ndeshje e vështirë në Rumani.
Vetëm 1500 tifozë në Bullgari-Rumani
Takimi i konsideruar si derbi i Ballkanit (Bullgari-Rumani) dhe që mbushi me akuza dhe kundërakuza faqet e gazetave dhe ato të internetit në të dy vendet është ndjekur vetëm nga 1500 shikues në impiantin prej 40 mijë vendësh të "Vasil Levskit" në Sofje, ku nuk ndodhej asnjë tifoz rumun. Një duel midis një Bullgarie të pashpresë dhe një Rumanie të kualifikuar.