E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Krasniqi kundër Aleksander Dimitrenko për titullin evropian

Luan Krasniqi do t'i rikthehet ringut për të kërkuar të bëjë të vetin edhe një herë titullin e më të mirit të Evropës. Megjithëse një gjë e tillë akoma nuk është zyrtarizuar, ka shumë gjasa që në fillim të vitit të ardhshëm boksieri shqiptar nga Kosova të luftojë kundër ukrainasit Aleksander Dimitrenko për brezin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Lajmi është bërë i ditur nga Klaus-Peter Kohl, drejtuesi i "Universum Box Promotion" i cili menaxhon karrierën e të dy boksierëve.
36-vjecari Krasniqi më parë kishte arritur që të fitojë dy herë titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë. Së pari më më 5 janar 2002 pasi kishte mposhtur gjermanin Rene Monse, por pas vetëm gjashtë muajsh e humbet titullin përballë polakut Przemyslaw Saleta. Pas kësaj Krasniqit do t'i duhen edhe dy vite të tjera për të rikthyer titullin evropian duke mposhtur turkun Sinan Samil Sam, ndërsa e mbron edhe dy herë këtë brez, për ta lënë atë vakant në vitin 2005 kur edhe filloi aventurën për të bërë të vetin titullin e kampionit të botës.
Sigurisht që rikthimi në "skenën evropiane" është një hap mbrapa për Krasniqin, por rikthimi duhet të fillojë prej kësaj pike pas humbjes së fundit nga Tony Thompson në korrik të këtij viti, humbje kjo që nuk e lejoi të sfidojë edhe një herë titullin botëror.
Ndërkohë kundërshtari i mundshëm i Krasniqit, Aleksander Dimitrenko konsiderohet si një nga boksierët e së ardhmes në ringun profesionist. Ukrainasi 25-vjecar renditet një nga 15 boksierët më të mirë të botës dhe aktualisht mban titullin "WBO Inter-Continental". Në karrierën e tij si profesionist ka zhvilluar 27 ndeshje dhe të gjitha i ka fituar (17 prej tyre me "knockout").

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›