Rumani, betohet presidenti Basesku
BUKURESHT- Presidenti rumun Trajan Basesku, i rizgjedhur për një mandat të dytë prej pesë vjetësh, bëri betimin sot përpara parlamentit, duke premtuar vazhdimin e reformave për "modernizimin e shtetit". "Objektivi im do të jetë modernizimi i Rumanisë. Kjo synon transformimin e përkatësisë formale në Bashkimin Evropian në një realitet konkret për çdo rumun, forcimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet një reforme të drejtësisë dhe shpenzimin në mënyrë më të efektshme të burimeve publike", deklaroi Basesku. "Nëse e humbim këtë rast, i dënojmë brezat e ardhshëm me kosto të papranueshme", shtoi ai, duke përmendur qëllimin e tij për zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 471 aktualisht në 300, në një parlament njëdhomësh. Basesku, dikur kapiten anijeje, sot 58 vjeç, i zgjedhur për një mandat të parë në dhjetor të vitit 2004, u shpreh gjithashtu për një reformë në arsim dhe shëndetësi, si dhe për zhvillimin e mjedisit rural, ku jeton rreth 40 për qind e popullsisë. "Kemi nevojë për një kontratë të re mes shtetit dhe qytetarëve, që do t'u bëjë të mundur këtyre të fundit të kenë përsëri besim në institucionet publike", bëri të ditur ai. Basesku u bëri homazh gjithashtu "një mijë të rinjve të cilët dhanë jetën për lirinë përpara 20-vjetëve", gjatë kryengritjes antikomuniste të dhjetorit të vitit 1989. "Sakrifica e tyre përbën bazën e suksesit të institucioneve demokratike sot. Shoqëria rumune mendon se nuk është thënë e gjithë e vërteta lidhur me këto kryengritje dhe se fajtorët nuk janë ndëshkuar", shprehu keqardhjen presidenti. Kryengritja kundër Nikolae çausheskut, e shtypur me gjak, ka shkaktuar 1 104 të vdekur, 162 prej të cilëve përpara largimit të diktatorit më 25 dhjetor dhe 942 më pas.(m.a/BalkanWeb)