Hjuxhs, gati të hedhë në gjyq Mançester Sitin
LONDER- Mançester Siti është përfshirë nga polemikat pas vendimit për të larguar Mark Hjuxhs dhe për të marrë Roberto Mançinin në pankinë. Hjuxhs u është drejtuar avokatëve të tij dhe ka ndërmend të hedhë në gjyq drejtuesit e klubit, duke i akuzuar se e kanë marrë vendimin shumë kohë më përpara. “Duke parë kohën e shpejtë që u lajmërua pasuesi im, është e qartë se klubi e kishte marrë këtë vendim me kohë, - ka thënë uellsiani. – Mua më ishte kërkuar vendi i 6-të ose 70 pikë dhe ne ishim në këtë linjë”, shtoi ai. Ndërkohë disa lojtarë të skuadrës, mes të cilëve Kreg Belami dhe portieri Shei Givën, nuk e kanë pritur mirë largimin e trajnerit dhe kanë shkuar te drejtuesit për t’u kërkuar ta rimarrin në punë. Gjithsesi, për ta ka qenë një “jo” e prerë. Kjo situatë megjithatë mund të sjellë klane në skuadër dhe një përplasje mes këtyre lojtarëve dhe trajnerit të ri Roberto Mançini. Por, “Daily Mirror” sqaron se tekniku italian nuk duket aspak i shqetësuar nga kjo dhe u ka dërguar një mesazh të qartë rebelëve: “ose do të luani për mua, ose do të largoheni”. Ndërkohë, për të ngjitur skuadrën në majën e futbollit anglez, drejtuesit arabë të Mançester Sitit i kanë ofruar Mançinit një buxhet të frikshëm, rreth 100 milionë stërlina për t’i shpenzuar në merkaton e janarit. Sipas mediave angleze, objektivi kryesor i Mançinit është Dagllas Maikon i Interit. Mbrojtësi i djathtë i zikaltërve është një prej më të mirëve në botë në rolin e tij. Objektiva të tjerë mbeten edhe Xhorxhio Kielini i Juventusit, Xhon Terri i çelsit, Rikardo Karvajo, Aleksandre Pato e Karim Benzema. Mançini gjithashtu ka ndërmend të flasë edhe ne Robinjon, për ta bindur që të qëndrojë në skuadër. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)