E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidink, shumë pranë pankinës së Juventusit

TORINO- Humbja 2-1 me Katanian ka shkaktuar tërmetin e radhës në shtëpinë e Juventusit, që është futur në një prej krizave më të rënda në histori. Bardhezinjtë janë mundur në 5 nga 6 ndeshjet e fundit përfshi atë në Champions League kundër Bajernit, rezultate që nuk ishin parë ndonjëherë në klubin torinez. Tifozët janë ngritur kundër drejtuesve Blank e Seko, ndërsa kërkojnë rikthimin në krye të klubit të Andrea Anjelit, djalit të ish-presidentit Umberto Anjeli. Ndërkohë, një nga pjestarët e triadës së epokës Moxhi, Roberto Betega, do të rikthehet si konsulent merkatoje, ndërsa lëvizja më e madhe pritet në pankinë, ku çiro Ferrara i ka orët të numëruara. Në vend të tij, Juventusi pritet të caktojë holandezin Gus Hidink, i cili një vit më parë mori drejtimin e çelsit dhe e nxorri nga kriza. Tekniku i Rusisë mund të bëjë sërish dy punë, pra edhe Juven edhe kombëtaren ruse, siç bëri një vit më parë. Hidink nuk është kontaktuar ende, por menaxheri i tij ka shpjeguar se është në dijeni të plotë të situatës në klubin bardhezi. “Ai është me pushime, por ka mësuar për humbjen me Katanian. Hidink nuk ka takuar asnjë drejtues të Juventusit, por nëse e telefonojnë, është i gatshëm”, ka sqaruar menaxheri i trajnerit holandez. Emri i Hidink është i pari, por për pankinën bardhezi janë edhe Skolari, Viali apo Xhentile. Rezultatet e këtij Juventusi nuk shiheshin që prej sezonit 1998-1999, ndonëse shpenzimet kanë qenë nga më të lartat për Serinë A. Jo më kot titujt e shtypit të hënën kanë qenë një sulm i ashpër ndaj skuadrës dhe trajnerit Ferrara. “Ndryshim i menjëhershëm”, ishte titulli i gazetës së Torinos “Tutosport”. “Ferrara, mendohu edhe njëherë, është mirë të largohesh”, titullonte “Corriere dello Sport”. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›