PS sulmon Metën për procesin e liberalizimit
TIRANE- Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Olta Xhacka sulmoi sot Ilir Metën për procesin e liberalizimit të vizave, duke deklaruar se “është e turpshme që një ministër që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për ta cuar këtë vend përpara justifikon paaftësinë e tij e premtimet e pambajtura të Sali Berishës duke theksuar se kemi qenë gjithnjë të fundit”. Deputetja Olta Xhaçka gjatë një deklarate për shtyp, shtoi se Shqipëria mund të mos justifikojë kryesimin e vendeve të rajonit, por nuk ka asnjë arsye që të rreshtohet e fundit. “Detyra juaj dhe e atyre që ju mbajtët në pushtet me vota të trafikuara është ta çoni këtë vend përpara e jo ta lini vend-numero. Z. Meta do bënte mirë të na shpjegonte arsyet: Përse Shqipëria vazhdon të jetë ende e fundit në përmbushjen e standarteve për zgjedhje të lira e të ndershme; Përse Shqipëria vazhdon të mbetet shembulli më i keq i korrupsionit qeveritar”, tha ndër të tjerash Xhaçka. Sipas saj, “para se të na zhvendoste kujtesën në të kaluarën e Zogut e të Hoxhës, Ilir Meta do të bënte mirë të na tregonte pse qytetarë të shteteve të sapokrijuara në Ballkan, kanë sot të drejtën e lëvizjes së lirë para nesh, ndërkohë që Shqipëria izolohet në mënyrë të pafalshme nga fqinjët europiane!”.(m.a/BalkanWeb)