Rumania mohon burgjet e CIA’s

Rumania ka mohuar raportet mediale, se zyrat e Qeverisë në Bukuresht janë përdorur nga CIA si burg i improvizuar për ndalimin dhe marrjen në pyetje të peronave të dyshuar për terrorizëm.
Zëdhënësja e Zyrës Kombëtare të Regjistrimit të Informacioneve të Klasifikuara, Simona Kap-Alb, këto pohime i ka cilësuar si spekulime të kulluara.
Akuzat për ekzistimin e një burgu të CIA’s në Rumani janë raportuar në shumë media perëndimore, megjithëse lokacioni i burgut është publikuar tek pas hulumtimit të përbashkët të agjencisë së lajmeve AP dhe televizionit publik gjerman, ARD Panorama.
Burgu rumun dyshohet të ketë qenë pjesë e rrjetit të të ashtuquajturave pika të zeza, që operonin dhe kontrolloheshin nga CIA. Të gjitha burgjet u mbyllën në maj 2006, ndërsa programi i CIA për ndalim dhe marrje në pyetje përfundoi në vitin 2009.