Rumania tërheq përfaqësinë në Kosovë
• Vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian po e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa një e sapointegruar, Rumania, po bën marshe pas duke tërhequr përfaqësinë e saj në këtë vend.Dje qeveria gjermane dhe ajo austriake e njohën pavarësinë e Kosovës. “I rekomandova qeverisë që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm për njohjen e Kosovës. Sipas ligjit austriak, qeveria i propozon presidentit që qeverisë së Kosovës t’i dërgohet letra e njohjes”, tha ministrja e Jashtme, Ursula Plasnik. Ndërkohë dje, Kosova gëzoi edhe njohjen e Gjermanisë, Norvegjisë, Malajzisë etj. Tri ditë pas deklaratës së pavarësisë nga Kosova, Presidenti Horst Këler i dërgoi një notë homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, ku ofrohet vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Për gjendjen në Kosovë sot pasdite diskuton edhe parlamenti gjerman. Ndërkohë Rumania ka vendosur të mbyllë zyrën e saj diplomatike në Prishtinë, njoftimin e ka bërë Presidenti rumun, Trajan Basesku. Rumania po vepron njëlloj si t’i jenë prekur interesat personale në territorin e Kosovës, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë. Ky hap i Rumanisë vjen pasi ky vend ka refuzuar të pranojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti Basesku ka thënë se Rumania nuk do të hyjë në zhvillimet politike dhe institucionale të Kosovës. Ai ka shtuar se Rumania është e angazhuar vetëm në ruajtjen e rendit publik, ndërkohë që Parlamenti rumun ka votuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe ka miratuar një deklaratë për mospranimin e njohjes së Republikës së Kosovës. Ndërkohë nga Franca, Presidenti Nikola Sarkozi i ka dërguar një letër Presidentit Fatmir Sejdiu, në të cilën ka propozuar që dy vendet të vendosin marrëdhënie diplomatike. “Zoti President, nëpërmjet letrës së 17 shkurtit e keni informuar Francën mbi vendimin që ka marrë Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008 për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke pranuar këtë realitet të ri, kanë konfirmuar sot angazhimin evropian në Kosovë. Kam nderin t’ju informoj që Franca nga ky moment e njeh Kosovën si Shtet sovran dhe të pavarur. Ju propozoj që dy vendet tona të vendosin marrëdhënie diplomatike. Në pritje të emërimit të një ambasadori, ju propozoj të emëroni znj. Delphine Borione, shefe e deritashme e Zyrës së Ndërlidhjes së Francës në Prishtinë.”, shkruan Sarkozi.