E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia notë proteste Tiranës, për Kosovën

• Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ngritur nivelin e marrëdhënieve me Kosovën në rang ambasadorësh ka reaguar edhe ambasada serbe në Tiranë.ADI SHKEMBI I ngarkuari me punë i Beogradit në Shqipëri, Miroslav Zariç ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp se i ka dërguar një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas Zariç vendimi i qeverisë shqiptare cenon rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Në të njëjtën kohë, Zariç bën të ditur se qëndrimi i Beogradit është i qartë, sipas të cilit çdo vend që do të njohë pavarësinë e Kosovës do të cenojë marrëdhëniet me Serbinë. “Ky akt është cenimi i rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe kartës përfundimtare të Helsinkit. Qëndrimi ynë është i qartë dhe u bë i ditur edhe në OKB nga ministri i Jashtëm, Vuk Jeremicc se çdo shtet që njeh pavarësinë e Kosovës edhe pse ka të drejtë të marrë vendimet e tij do të cenojë marrëdhëniet tona. Ky qëndrim është prioritar sepse vendet që nuk respektojnë të drejtën ndërkombëtare nuk mund të presin marrëdhëniet normale me ne”, theksoi dje i ngarkuari me punë i Serbisë në vendin tonë Miroslav Zariç. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Koshtunica deklaroi se Serbia do të tërheqë të gjithë ambasadorët nga vendet që njohin Kosovën. I pyetur për një tërheqje të mundshme, e ngjashme me atë të vitit 1999, Zariç, nuk e konfirmoi një qëndrim të tillë. “Nuk mund të bëjmë prognoza për atë që mund të ndodhë. Do të jem këtu edhe në ditët e ardhshme. Ka 8 vjet që Serbia është ndryshe, ka një pushtet demokratik që vlerësohet nga të gjitha vendet e botës me të cilat ne kemi marrëdhënie shumë të mira. Këtu në komunikimin e përditshëm nga mediat, por edhe nga politikanë shqiptarë shpesh përdoret një fjalor i viteve ’90, që do të thotë se nuk respektohet realiteti në të cilin ndodhet Serbia”, theksoi Zariç. Dy ditë më parë qeveria shqiptare mori një vendim për të emëruar Islam Laukën në postin e ambasadorit në Kosovë, pasi kishte konfirmuar se shteti shqiptar njeh një vendim të parlamentit të vitit 1991 për njohjen e pavarësisë së Kosovës. SHBA nuk tërheq ambasadorin nga BeogradiShtetet e Bashkuara nuk do ta tërheqin ambasadorin amerikan nga Beogradi, përkundër vendimeve të Qeverisë së Serbisë për tërheqjen e ambasadorit nga Uashingtoni. “Ambasadori Kameron Manter e bën punën e vet dhe atë shkëlqyeshëm”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak, në pyetjen nëse Uashingtoni do të ndërmarrë hap reciprok pas tërheqjes së ambasadorit serb nga Shtetet e Bashkuara. Në deklaratën e tij mbështetëse për pavarësinë e Kosovës, Presidenti Xhorxh Bush ka theksuar se do të insistojë në marrëdhënie të mira me Serbinë.     Kina, trupa në Kosovë, por jo pavarësisë Kina është nga kundërshtaret e pavarësisë së Kosovës, duke qëndruar përkrah Rusisë në Këshillin e Sigurimit për të mos i njohur shtetësinë Republikës së re të kontinentit evropian. E megjithatë, ky vend ka vendosur të dërgojë trupat e tij në Kosovë, të cilat do të bëhen pjesë e kontingjentit paqeruajtës, edhe pse në një numër modest. Do të jenë vetëm 18 ushtarë nga Kina, të cilët do të bashkohen me trupat e tjerë nga e gjithë bota për të dhënë garanci mbi situatën e sigurisë në shtetin e ri të formuar vetëm katër ditë më parë. Deklaratën e kanë bërë dje zyrtarë kinezë, të cilat nuk kanë dhënë detaje për marrjen e këtij vendimi. Lavrov: Misioni ironik i BE-së, ilegal Moska e ka konsideruar ilegale vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Mikhail Kamynin, ky mision nuk ka baza legale dhe është në kundërthënie me rezolutat kryesore të Kombeve të Bashkuara. “Ka një ironi të hidhur, sepse misioni që do të parandalojë shkeljen e ligjit dhe do të ruajë rendin në nivelin më të lartë, është vetë ilegal”, tha Lavrov në një konferencë në Moskë. “Vendimi për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë, nuk ka asnjë lloj baze legale. Përgatitjet për vendosjen e misionit të BE-së e kanë anashkaluar dhe po e anashkalojnë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi Kamynin.Jeremiç:Kosova shtet i izolimit, më vjen turp që jam evropian   Para liderëve evropianë në Strasburg, ministri i Jashtëm serb ka denoncuar krijimin e Kosovës si një shtet fals dhe që do të mbetet i izoluar, duke anashkaluar faktin që tashmë ajo njihet zyrtarisht nga vendet më të fuqishme të botës perëndimore.  “Krijuan një shtet të izoluar dhe e quajtën vendosje të paqes”, tha Jeremiç, duke shpërfillur deklaratën e 17 shkurtit. Ai më tej theksoi se marrëdhëniet me të gjitha vendet që do të njohin pavarësinë e Kosovës do të ashpërsohen dhe kjo e ka një arsye, sipas tij, shkeljen e integritetit territorial të Serbisë dhe njohjen zyrtare të këtyre vendeve të këtij akti ilegal. Duke iu referuar vendeve të BE-së, që e njohën Kosovën që të hënën dhe të tjerave që e deklaruan njohjen e saj, Jeremiç tha vetëm se, “si evropian më vjen turp”. Ndërkohë qeveria serbe ka bërë deklarata kontradiktore për sa i përket incidentit të Mitrovicës të një dite më parë. Ministri i Jashtëm, Jeremiç, e ka dënuar vënien në flakë të dy postave kufitare që ndanin Serbinë me Kosovën, ndërsa ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka deklaruar se ky ishte një akt i shëmtuar, por serbët kishin të drejtë të silleshin në këtë mënyrë me gjithë shkeljet që u janë bërë. Për sa i përket KFOR-it, ai ka dënuar incidentin e Mitrovicës dhe ka akuzuar qeverinë serbe për nxitje të këtij incidenti. KFOR është zotuar se kushdo ka organizuar këtë incident, do të përgjigjet para drejtësisë.      KFOR hap pikat kufitare Policia e Kombeve të Bashkuara në Kosovë i hapi dje dy pikat kufitare, që ishin mbyllur për 24 orë, pasi serbët u vunë flakën në shenjë zemërimi për pavarësinë e Kosovës. Në pikat kufitare në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, u vendos që në orën 15:00 policia e UNMIK-ut së bashku me njësinë speciale të UNMIK-ut. Sipas SHPA-së, kjo do të thotë se prej kësaj kohe, pikat kufitare janë të lira për trafik, për aq gjatë sa aty të jenë trupat e KFOR-it. Ishte kreu i UNMIK-ut, Joakim Ryker, ai që kërkoi nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Lejtnant Ksavier de Marnak të mbyllë kalimet kufitare numër 1 dhe 31 në pjesën veriore të Kosovës në koordinim të ngushtë me policinë e UNMIK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›