E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu takon Seremben në San Cosmo Albanese



Dita e 2 qershorit për banorët e San Cosmo Albanese ose i njohur ndryshe edhe me emrin arbëresh Strigar ishte krejt e veçantë sepse festën kombëtare të Italisë, ata e festuan edhe me vendosjen e bustit të Skënderbeut në qendër të komunës.
Dhjetëra banorë nga kjo komunë dhe nga komunat arbëreshe përreth si San Demetro Albaneze (Shën Mitri i famshëm i kolegjit ku kanë studiuar De Rada,Luigj Gurakuqi etj), u mblodhën në qendër të komunës para bashkisë ku banda frymore ekzekutoi himnet kombëtare të Shqipërisë dhe të Italisë. Me pas nën tingujt e marsheve të kësaj bande frymore, me flamurë shqiptarë dhe italianë në duar, turma e madhe përshkoi rrugët e komunës shkruar në dy gjuhë shqip dhe italisht për të ardhur në qendër, ku afër bustit të Serembes, i lindur pikërisht në Strigar, u zbulua një tjetër bust kuptimplotë: ai i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu,vepër e skulptorit Gentian Tabaku dhuratë për këtë komunë nga qeveria shqiptare. Pas kremtimit mbresëlënës që iu kushtua Vaçe Zelës në Bazel të Zvicrës dhe që mblodhi bashkë gjithë inteligjencën shqiptare që punon e jeton në Zvicër, inaugurimi i bustit të Skënderbeut është një tjetër rast i shfrytëzuar nga kjo ministri për të mbledhur përsëri shqiptarët, kësaj here të një historie shumë të lashtë, për t’u treguar se për qeverinë e sotme shqiptare kultura që ata krijojnë në çdo vend të botës ku ndodhen, mbetet një përparësi. Sipas një projekti të MTKRS,së shpejti buste të tjerë të Skënderbeut apo të personaliteteve të tjera të shquara të kulturës shqiptare pritet të vendosen pothuajse në të gjitha fshatrat arbëreshe.

Shqipëria dhe Kosova diskutuan në Gjirokastër për komunikimin kulturor
Intelektualë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova kanë diskutuar në Gjirokastër për komunikimin kulturor. Debati synon nxitjen e aktiviteteve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e artit dhe të kulturës. Në kuadrin e veprimtarisë “Takimet muzikore të dy botëve” që u mbajt në Gjirokastër nga 4 deri në 6 qershor, u zhvillua edhe konferenca “Kultura në komunikimet ndër shqiptare dhe prezantimi i saj në botë”, moderuar nga filologu i njohur kosovar, Shkëlzen Maliqi. Nga paneli i kësaj konference disa personalitetet të kulturës nga gjithë hapësira shqiptare si studiuesja e letërsisë Baviola Shatro, piktori kosovar Mehmet Beluli, muzikologu nga Kroacia Bashkim Shehu, politikani dhe publicisti Veton Surroi, aktori Viktor Zhusti regjisorja Ilda Mara, dramaturgu Jeton Neziraj, muzikanti Arben Llozi, muzikati ilir Bajri etj. Gjatë këtij debati, ata vlerësuan nga këndvështrime të ndryshme çështjet e komunikimeve të ndërsjella ndër shqiptare në sisteme të veçanta të kulturës shqiptare dhe të kontakteve të saj me vetveten dhe në tërësi me botën. “Për shkak se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë edhe një diasporë të madhe dhe shumë të shpërndarë, kultura shqiptare është një “entitet” kompleks i cili është i varur nga komunikimet dhe mobiliteti. Andaj kemi parë të udhës që si pjesë e festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”, që tradicionalisht mbahet në Gjirokastër, ta kthejmë në një pikënisje të një debati mbi komunikimet kulturore ndër shqiptare dhe prezantimin e kulturës shqiptare në botë, debat që do të vazhdojë me disa panele të tjera në Shqipëri e Kosovë dhe do të përfundojë me një konferencë tjetër që do të mbahet në shtator në Prizrenit”, shpjegoi në fillim të kësaj konference filologu i njohur kosovar Shkëlzen Maliqi. Ndërsa politikani dhe publicisti Veton Surroi, tha se “bisedat dhe debatet për kulturat duhet të jetë sa më serioze, sepse vetëm pse jemi të gjithë shqiptarë, nuk mjafton dhe nuk do të thotë se kemi komunikim kulturor mes nesh”. “Për shkak se në një anë të kufirit ishte censura komuniste dhe në anën tjetër të tij ishte censura e pushtetit serb, dy kulturat bazike shqiptare kanë humbur dhe kërkojnë çelësin e komunikimit”, tha ai gjatë fjalës së tij.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›