1994, Amerika “pagëzon” Brazilin
Nga Skifter Këlliçi
Aty nga fillimi I viteve ’70 të shekullit të kaluar, për ta bërë popullor futbollin në një vend si Amerika, ku sportet më të përhapura janë futbolli amerikan, bejzbolli dhe basketbolli, u krijua skuadra “Kozmos”, ku luajtën yje të tilla si Pele, Bekenbauri, Besti Muri, Karlos Alberto, Kinalia e plot të tjerë, emrat e të cilëve i kemi hasur në faqet e këtij cikli. Ishte preludi që një ditë Amerika të organizonte edhe ajo një dasmë të lojës më popullore në botë. Dhe duhet thënë se meritë të madhe në këtë drejtim pati politikani i njohur amerikan, me origjinë gjermane, Henri Kizinger.
Por dihej se futbolli në atdheun e lëkurëkuqve, të cilët Kristofor Kolombi, duke pandehur se kishte zbuluar Inditë Perëndimore, i quajti indianë, ishte thuajse i panjohur në kontinentin e ri, pavarësisht se amerikanët kishin qenë ndër 13 mysafirët e parë dhe të vetëm të botërorit të vitit 1930 në Uruguain e largët dhe 20 vjet më vonë, në Brazil kishin shkaktuar një nga sensacionet më të mëdha, duke mundur anglezët, shpikësit e futbollit.
Rreth këtyre çështjeve po bisedoja me Nando Martelinin, i cli në ato dy takime të gjata më kishte rrëfyer disa nga kujtimet e tij më tërheqëse që ruante për botërorët e futbollit, të cilët nga viti 1958 e deri më 1986, siç e kemi parë,i kishte ndjekur me mikrofonin e RAI-t në dorë.
Por ndodhi çudia: Pikërisht në këtë vend, ku futbolli cilësohet lojë femrash,(jo më kot është i dashuruar kaq shumë nga seksi delikat ,aq sa ato kanë arritur arritën të bëhen kampione të botës në këtë sport), “Botërori ’94” u ndoq nga më shumë se 3.500.000 shikues, po se rreth 600 mijë më shumë se Botërori “Italia ’90” dhe për më tepër, niveli i ndeshjeve qe më i mirë .
Mirëpo, me keqardhje,nuk do të kem më rast të ndaj opinionet e mia me Nando Martelinin. Siç kam shkruar ,me të u takova në Radio”Dimensione Suono “ të Romës, ku ishte bashkëpunëtor i jashtëm, në shkurt të vitit 1994,pra katër muaj para se të fillonte botërori amerikan. Do të më mungonin kështu rrëfimet e tij aq tërheqëse, siç më mungonin edhe rrëfimet e Anton Mazrekut,që ishte shuar më 1969.
Para se të ndahesha më të, më ftoi në një bisedë rreth tryezës, ku merrnin pjesë specialistë të njohur të futbollit. Disktutuam për ndeshjet që “Roma” dhe “Lacio”kishin zhvilluar atë të diel. Gjatë bisedës u kujtova atyre se krahas Piolës së famshëm, me “Lacion kishte luajtur Boriçi, kurse Kryeziu,i cili ndërroi jetë në maj të këtij viti në moshën 89-vjeçare, kishte luajtur me “Romën”. Martelini dhe kolegët e tij, më të mëdhenj se unë në moshë,i kishin ndjekur nga afër në stadiumet e Romës dhe shprehën respektin më të madh për ta.
Një muaj para se të fillonte Botërori ’94, një nga regjisorët e TVSH-së,duke u nisur nga përvoja ime e gjatë në drejtimin e “Rubrikës sportive”, më ftoi të drejtoja një konkurs kushtuar kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Pranova me kënaqësi. Por çuditërisht “kryekomentatori” ,i cili pas proceseve demokratike çuditërisht vazhdonte të ishte ende redaktor, kur për punë të dobët dhe të pandërgjegjshme, duhej të ishte larguar një herë e ma parë,aq më tepër që,si gjithnjë, që nga viti 1975 drejtuesit ankoheshin për nivelin e emisioneve sportive,duke vazhduar të vuante nga kompleksi i inferioritetit, bëri një nga veprimet më anormale: nuk përfilli propozimin e këtij regjisori dhe caktoi si drejtues një tjetër, që ishte aktori i njohur i skenës teatrore, por jo sportive.
Të kthehemi tani te disa nga etapat nëpër të cilat kaloi Botërori ’94. Në to u regjistruan disa të papritura. Veç Kamerunit,tashmë ambasador i njohur në botërorët e futbollit që ga vitit 1982,Afrika pati një tjetër “ministër fuqiplotë”-Nigerinë,thuajse e panjohur deri atëherë në këtë sesion të jashtëzakonshëm “të asamblesë së futbollit ndërkombëtar”. Këto dy skuadrone arritën në fazën e dytë të këtij botërori. Bashkë me to për herë ta parë dhe të fundit,u akredituan atje edhe dy përfaqësi nga Ballkani-dy fqinjët, Rumania e Hagit dhe Bullgaria e Stoickovit, nga personazhet më intriguese në stadiumet amerikane. Edhe këtë herë mbeti jashtë dyerve të fazës finale Rusia. I vetmi ngushëllim për të ishte fitorja kundër luanëve, atë ditë të dremitur të Kamerunit me rezultatin tenstik6-1,ku pesë nga të gjashtë golat i shënoi Salienko, rekord origjinal i botërorëve, i cili, duke i shtuar vetes të vetmin gol kundër Suedisë,(1-3), së bashku me Stoickovin do të shpallej golashënuesi më i mirë i këtij botërori.
Por e papritura më e madhe gjatë ndeshjeve në grupe, ishte përjashtimi i Maradonës nga ky botëror pas ndeshjes Argjentinë-Nigeri, ku ai hetua nga komisioni përkatës se kishte përdorur drogë. Mbase kjo solli që argjentinasit të kumbisnin ndeshjen e fundit në grup me Bullgarinë,(0-2).
Të peshkuar në fazën e dytë, argjentinasit hasën në 1/8 e finaleve një tjetër “xhelat” nga Ballkani,Rumaninë që me gola të Hagit (2) dhe Dimitreskut, kundër golave të Batistutës dhe Balbos, i prenë asaj riskun drejt një finaleje të mundshme që ata e kishin luajtur dhe humbur me Gjermaninë, siç e kemi parë më 1990, jo pa diskutime për një 11-metërsh që zgjidhi fatin e lojës kundër tyre.
Amerikanët të drejtuar nga trajneri jugosllav ambulant Milutunovic, të nxitur edhe nga një tifoja nga shkallët e stadiumit, i hutuan keqas mjeshtrit e sambas, sa Leonardo, që deri para disa ditësh drejtoi pa sukses “Milanin”, i kapërthyer nga inati, i theu, por jo figurativisht amerikanit Ramos hundën e kështu tri herë kampionët e botës mezi mundën të shënonin një gol që i kaloi në çerekfinale.
Kur ndiqja në shtëpi ndeshjet e Italisë sepse të tëra ato i komentoi “kryekomentatori” kujtova Martelinin. Po ato emisione që po kalonte Bruno Piculi do të kishte ndiere dhe ai në mikrofon,sepse qenë me të vërtetë nga më të ankthshmet që ajo kishte përjetuar deri atë herë,të ngjashme me takimet që kishte pasur me Argjentinën dhe Brazilin më 1982 në Botërorin ‘94 në Spanjë, të cilat i kishin hapur asaj rrugën drejt Olimpit botëror.
Po ua kujtoj lexuesve,sidomos atyre të rinjve.
Itali-Nigeri. Në të 26’ nigeriani Amuniku i lë gojëhapur ‘azurrët’. 1-0. Në 64’ për këtë debutues afrikan. Në fushë zbret Zola që t’u japë zemër shokëve të tij të trallisur, por dëbohet nga gjyqtari meksikan Brizio Karter. Kur nuk mbeten veçse 100 sekonda. Baxho, me lëvizje të papërfytyrueshme mashtruese e shtrëngon portierin Nigerian Rufu të nxjerrë topin nga rrjeta. Nigerianët, jo vetëm nuk arrijnë të shfrytëzojnë epërsinë numerike që e kishin pasur që nga pjesa e dytë, por shkaktojnë 11-metërsh që Baxho e kthen në gol dhe kështu italianët, si të kishin kaluar një ëndërr të llahtarshme, arrijnë në çerekfinale.
Përballë Italisë tani është Spanja ,por këtë radhe jo e portierit të famshëm Zamora, që 1934 i hipnotizoi “axurrët”, por sulmuesi Salinasi cili e ka radhën të hipnotizohet nga portieri Paliuka. Sidoqoftë, me autogol të Benarrivos pasardhësit e Zamorës përkohësisht janë gjysmëfinalistë, sepse me dy gola, nga të cilët i dyti dy minuta para mbarimit të ndeshjes, Italia fiton. Së pari, barazon Baxho, që pastaj u jep atyre pasaportën për të kaluar në gjysmëfinale ku do të përplasen me Bullgarinë, e cila në një ndeshje më të vërtete antologjie kishte mposhtur Gjermaninë 2-1 pas tri finalesh që ajo kishte luajtur radhazi. Në vitin 1982 me Italinë 1-3, në vitin 1986 me Argjentinën 2-3 dhe në vitin 1990 fituese me Argjentinën 1-0.
Fillimi ishte premtues për italianët që pa kaluar 20 minuta shënojnë me anë të Baxhos. Është po ai që bën “bis” pas pesë minutash. Stoiçkovi shkurton largësinë nga pika e 11-metërshit dhe bullgarët do të kishin mundur të shënonin golin e dytë, sikur gjyqtari francez, Kinu, të kishte dhënë një tjetër goditje të tillë për prekje të qëllimshme të topit më dorë nga Kostakurta.
Kështu, Italia, jo pa trazira arrin në finale me Brazilin i cili,edhe ai kishte pasur një rrugë të sëkëlldismë, sidomos në takimin me Holandën, të fituar 3-2.
Me dy gola të Bebetos dhe Romarios u duk se tri herë kampionët e botës po e kalonin serbes këtë ndeshje, por gati e humbën pusullën kur Berkampi dhe Vintri barazuan 2-2 Dhe vetëm mjeshtëria e Brankos u dha atyre mundësi të fitojë 3-2 dhe të arrijnë finalen me Italinë, ashtu si 24 vjet më parë kur kishin triumfuar 4-1.
Që nga viti1986 kur kisha rinisur të komentoja botërorët e futbollit ndonjë shok më kishte pyetur se përse gjatë ndeshjes përktheja komentatorët italianë. U shpjegoja se përderisa nuk ndodhesha me mikrofon në stadiumet e huaja si ata, nuk mund të veproja ndryshe. “Po sikur të na lije të dëgjonim vetë Martelinin, pra të flisje më pak,” - kërkonin disa të tjerë. “Po ato që thotë ai përpiqem të them edhe unë,- vazhdoja,- pra, kuriozitete të dhëna për skuadrat, me ç’skema taktike luajnë ato, që ai me shokë të tjerë i dallonin shumë më mirë se unë që nuk kisha nga t’i mësoja, se ndodhesha në një...studio të TVSH-së. Atëherë bindeshin.
Po të kthehemi te ndeshja finale Itali-Brazil. Besoj se një pjesë e mirë e atyre që lexojnë këto radhë, e kujtojnë këtë takim të mërzitshëm, shumë larg një finaleje botërori, aq më tepër që për të përcaktuar kampionen u deshën 120 minuta dhe për herë të parë edhe 11-metërshat.
I vetmi çast kulmor në këtë ndeshje u regjistrua në minutën e 75-të, kur pas një aksioni Mario Silva i dha topit një goditje përtace që po aq përtacësisht u prit nga Paliuka i dremitur, të cilit, për habinë e miliona e miliona shikuesve në tërë rruzullin tokësor, i shpëtoi duarsh,u përplas në shtyllën pingule nga e djathta e tij dhe që aty, si të ishte penduar, në vend që të drejtohej në portë përfundoi përsëri në duart e portieri italian. Atij nuk i mbeti veçse ta puthte...me dashuri.
Por nuk ishte e thënë që “axurrët” të fitonin. Gjatë lotarisë së 11-metërshave Baxho, ndër më të mirët e këtij botërori , i cili kishte mundësi të barazonte rezultatin i cili ishte 3-2 për brazilianët, nuk arriti të mposhtte emocionet, gjuajti mbi portë dhe Brazili u bë “Tetra Campeo”, pra për të katërtën herë u kurorëzua kampion i botës.
Përpara se t’ i mbyll shënimet e kësaj pjese, ashtu si në pjesën e 14-të, nënvizoj edhe një fakt të habitshëm. Në mars të vitit 1994 një koleg nga Komiteti i Shkencave më propozoi që libri imi mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar, (1930-1987), ku një kapitull të veçantë përfshiheshin edhe skemat taktike të botërorëve të futbollit, pra nga sistemi piramidor 2-3-5 i Uruguait, më 1930, 3-2-2-3, (ËM), i Italisë, kampione më 1938; 4-2-4, Brazilit, kampion në Suedi, 4-3-3,(1958); 4-3-3, i Anglisë kampione (1966); 4-4-2,përsëri i Brazilit, kampion në Meksikë (1970) e kështu me radhë, ta paraqitja pranë sektorit shkencor të Institutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, për të fituar gradën shkencore doktor. Ashtu veprova. Por, për çudi, drejtuesit e këtij sektori krijuan një biçim jurie me pesë vetë, nga të cilët dy që nuk ishin specialistë të futbollit, vetëm e vetëm që ta hidhnin të poshtë. Dhe ia arritën qëllimit. E të mendosh se libri ishte aprovuar nga katedra e futbollit dhe drejtoria e këtij instituti!...
Rezultatet e fazës finale
1/8 e finaleve
Gjermani-Belgjikë 3-2
Spanjë-Zvicër-3-0
Arabi Saudite- Suedi 1-2
Rumani-Argjentinë 3-2
Brazil-SHBA 1-0
Holandë-Irlandë 2-0
Itali-Nigeri 2-1,( me shtesë)
Meksikë-Bullgari 1-1,( 3-1 me 11metërsh)
Çerekfinalet
Itali-Spanjë 2-1
Brazil-Holandë 3-2
Bullgari-Gjermani 2-1
Rumani-Suedi 0-1
Finale për vendin e tretë
Suedi-Bullgari 4-0
Finale
Brazil-Itali 0-0, (3-2 me shtesë dhe 11-metërsha)
Brazili: Tafarel, Zhirzhinjo, M.Santos, Aldair, Branko, Mazinjo, M.Silva, Dunga, Zinjo, Babeto, Romario. Trajner: Parrerira
Italia: Paliuka, Muzi, Barezi, Maldini, Benarrivo, Berti, Albertini, D.Baxho (Evani), Donadoni, Masaro, R.Baxho. Trajner: Saki
Golashënuesit më të mirë: Salienko(Rusi), Stoiçkov (Bullgari) nga 6 gola.
Përbërja simbolike e botës: Predhom (Belgjikë), Zhorzhinjo (Brazil), M.Santos (Brazil), Maldini(Itali), Brolin(Suedi), Dunga (Brazil), Haxhi(Rumani), Balakov (Bullgari), Baxhio(Itali), Romario(Brazil), Stoickov (Bullgari).
8 Qershor 2010