Rusët në udhëkryq
Anketat në Rusi tregojnë se kryeministri Vladimir Putin ka të ngjarë të fitojë zgjedhjet presidenciale dhe të ndërrojë pozitën me presidentin Dmitri Medvedev.
Medvedev, i cili zuri vendin e Vladimir Putinit në vitin 2008, e propozoi zyrtarisht këtë lëvizje të shtunën në Kongresin e partisë që ka pushtetin në Rusi.
Pavarësisht nga anketat, rusët kanë reagime të përziera.
Shkëmbimi i planifikuar me kujdes ndërmjet kryeministrit Vladimir Putin dhe presidentit Dmitri Medvedev, i njoftuar të shtunën, transmetohet herë-pas-here në televizionin shtetëror rus.
Por prapa kamerave, jo të gjithë duartrokasin. Ditën që u bë njoftimi, kishte protestues që brohorisnin “Rusia pa Putinin”.
Ilia Yashin, i lëvizjes opozitare Solidariteti, akuzon presidentin Medvedev se thjesht ka shërbyer për t’ia mbajtur fronin ngrohtë Putinit.
Por në Moskë, një qytet me 12 milionë banorë, vetëm 250 persona u mblodhën për një tubim kundër Putinit. Dhe disa prej tyre nuk janë të bindur.
Sergei Nikolajevic, oficer në pension, doli thjesht nga kureshtja. Ai nuk shqetësohet nga gjendja politike, pasi Rusia ka burime të shumta natyrore.
“Në një vend relativisht të pasur me burime si naftë e gaz, nuk ka gjasa për revolucion”, theksoi ai.
Vladimir Aristarkov, punonjës në një shtëpi botimi, ka në plan të votojë për komunistët e opozitës, në shenjë proteste.
Ai thotë se Putin dhe Medvedev mund të vazhdojnë ta mbajnë pushtetin për një çerek shekulli.