Regjistrimi në Maqedoni në udhëkryq
Tri ditë para fillimit të procesit të regjistrimit, çështja e regjistrimit të mërgimtarëve ka shkaktuar ndasi të mëdha mes anëtareve te komisionit të regjistrimit në Maqedoni.
Kryetarja e komisionit shtetëror të regjistrimit, Vesna Janevska, për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA ka deklaruar se “të drejtë regjistrimi kanë vetëm qytetarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni, por jo edhe ata të cilët punojnë me punë të përkohshme në vendet e jashtme”.
Me këtë qëndrim nuk pajtohen anëtarët shqiptarë të komisionit në fjalë.
Anëtarët shqiptarë pranë KSHR kanë theksuar se “neni 40 i Ligjit për regjistrim mundëson regjistrimin edhe të mërgimtarëve, të dhënat e të cilëve i jep ndonjë anëtarë i familjes përmes ekspozimit të dokumenteve të tyre personale”, duke nënvizuar se procesi i përgatitjeve për momentin është i bllokuar dhe të njëjtin mund ta zhbllokojë vetëm politika.
Me këtë rast, të martën është prononcuar lideri i partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti.
“Ligji është shumë i qartë, të gjithë ata të cilët brenda vitit hynë një herë e më shumë në territorin e Maqedonisë, të gjithë ata të cilët kanë pasuritë e veta por përkohësisht nuk ndodhen në këtu, por ndodhen me punë të përkohshme jashtë Maqedonisë, të njëjtit i regjistron një anëtar tjetër i familjes”, ka theksuar Ali Ahmeti.