E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi: Konuzin: Serbisë nuk mund t'i imponohen vendime

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, ka deklaruar se aktualisht, "në shekullin e 21-të askush nuk ka të drejtë që Serbisë t'i imponojë vendime dhe zgjidhje që janë në kundërshtim me vullnetin e autoriteteve dhe shtetit serb". I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, ai tha se "Rusia fuqishëm e mbështet qëndrimin e qeverisë së Serbisë, që do të thotë se nuk e mbështet pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. "Zgjedhjet po realizohen në të ashtuquajturën Kosovë të pavarur dhe në bazë të së ashtuquajturës Kushtetutë të Kosovës", tha ambasadori rus. Sipas tij, për Rusinë nuk ekziston as Kosova e pavarur e as Kushtetuta e saj. Ambasadori Konuzin i ka ftuar serbët e Kosovës, që ta respektojnë Kushtetutën e Serbisë. Këto komente ai i bëri në Zveçan, në afërsi të Mitrovicës, ku mori pjesë në një tubim.
Edhe i ashtuquajturi ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka përsëritur qëndrimin e qeverisë serbe - të cilin e ka përshkruar si "parimor dhe të qartë" - se serbët në Kosovë nuk duhet të dalin në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 nëntor.
Ky qëndrim, sipas Bogdanoviqit, është tepër i qartë dhe ka shtuar se "nuk ka asnjë dilemë se nuk do të ketë një qëndrim të kundërt". Ndërsa më herët Komisioni Evropian u bën thirrje fuqishëm Beogradit dhe Prishtinës që të kërkojnë zgjidhje pragmatike dhe praktike të cilat do të mundësonin funksionimin e bashkëpunimit rajonal, pa paragjykimin e pozicioneve të ndryshme për statusin e Kosovës, thuhet në raportin vjetor të KE-së mbi progresin e Serbisë, ku për Kosovën flitet në pjesën kushtuar bashkëpunimit rajonal. Raporti i KE-së i bën thirrje Serbisë që bashkë me fqinjët e saj të zgjidhë problemin rajonal të mosdënimit të kriminelëve, të cilët fshihen prapa nënshtetësisë së dyfishtë dhe ligjit për ndalimin e ekstradimit të shtetasve në shtetet e tjera, veçanërisht kur bëhet fjalë për personat e akuzuar për krime lufte.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›