E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-SHBA, Obama: Koha për një epokë të re

Presidenti amerikan Barak Obama i bëri thirrje Rusisë të lënë mënjanë mosbesimin, armiqësitë dhe rivalitetin e luftës së ftohtë dhe të punojnë së bashku për një botë të begatë dhe pa armë bërthamore. Në fjalimin e tij të mbajtur në Universitetin Ekonomik të Moskës, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se ka ardhur koha që ky brez i ri udhëheqësish të dy vendeve, të bashkëpunojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Duhet të synojmë një të ardhme jo të bazuar në dyshime dhe pengesa, por në partneritet dhe aspirata të përbashkëta. Së bashku ne mund të ndërtojmë një botë ku njerëzit janë të mbrojtur, të begatë e ku fuqia jonë shërben vetëm për një gjë, progres.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, insistoi se Uashingtoni dëshiron një Rusi aleate të fortë, paqësore dhe të begatë me të cilën mund të punojë për mundjen e terrorrizmit dhe forcimin e ekonomisë. Përsa i përket rolit të Amerikës në botë, Obama garantoi se :
“Amerika nuk është perfekte, por të drejtat e njeriut dhe demokracia na lejojnë të punojmë fort në dhënien fund të abuzimit të pushtetit. Nëse demokracia jonë nuk do të funksiononte, unë si një person me origjinë afrikane, nuk do të isha këtu për t’u folur jo vetëm si qytetar amerikan por as si një president.”
Ndërsa nuk hezitoi të komplimentonte Rusinë për rolin e saj të admirueshëm në letërsi, gjeometri dhe politikë, Obama gjatë takimit me kryeministrin Vladimir Putin i kujtoi atij se ata mund të mos jenë dakord për çdo çështje, por që të dy kishin një mundësi të shkëlqyer për t'i vendosur marrëdhëniet ruso-amerikane në baza më të fuqishme. Lideri amerikan vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Putinit si president dhe tani si kryeministër i Rusisë. Ndalesa e rradhës e Presidentit amerikan do të jetë L’Aquila e Italisë ku të mërkurën do të mbahet samiti i G8-ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›