E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-Ukrainë gjejnë gjuhën e përbashkët për gazin

Marrëveshja e re mes Rusisë dhe Ukrainës duket se ka kapërcyer për momentin konfliktet e tyre të vazhdueshme për furnizimin me gaz. Në Jaltë, Kryeministri rus, Vladimir Putin, dhe homologia e tij ukrainase, Julia Timoshenko, kanë nënshkruar një pakt të rëndësishëm: "Vitin e shkuar, Ukraina ka aplikuar tarifa speciale për transitin dhe ne, në këmbim, kemi praktikuar një ulje prej 20 përqindësh në krahasim me çmimin në Europë. Vitin tjetër nuk do të ketë ulje dhe as tarifa speciale për transitin", tha Putin. Kievit nuk do t‘i duhet të paguajë penalizime, sepse ka konsumuar këtë vit një sasi më të vogël gazi, po ashtu Ukraina mund të fusë në xhep 60 për qind më shumë për transitin e gazit drejt Perëndimit. Sipas dy krerëve të qeverisë, u hodhën bazat për të shmangur atë që ndodhi janarin e kaluar, kur furnizimet ruse u ndërprenë për dy javë në mes të sezonit të ftohtë, duke provokuar një emergjencë sociale në Ukrainë dhe duke vënë në krizë vendet perëndimore që vareshin nga ato furnizime. Një e katërta e gazit që konsumohet në Bashkimin Europian vjen nga Rusia dhe 80 për qind e gazit rus kalon nga Ukraina. Dy kryeministrat u takuan në qytetin turistik të Jaltës në gadishullin Krimesë, Ukrainë, për të diskutuar një prej çështjeve më të rëndësishme të viteve të fundit: furnizimin me gaz. Sipas kontratave të nënshkruara në fillim të këtij viti, Ukrainës i duhej të paguante gjoba shumë të mëdha nëse nuk do të paguante për të gjithë gazin që do të blinte sipas kontratës, pavarësisht nga sasia e përdorur. Konsumi i gazit në Ukrainë është ulur ndjeshëm për shkak të krizës ekonomike.

Koncernet për energji nga të dyja vendet, "Gazprom" dhe "Naftogaz" kanë rënë dakord për sasinë e furnizimit, tha Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin. "Pamë se ishte e mundur arritja e një marrëveshjeje me Ukrainën dhe ndryshimi i shumë prej marrëveshjeve tona të mëparshme", shtoi më tej Putin. Duke iu referuar krizës së janarit të shkuar ai tha: "Do të ishte shumë mirë të hynim në një vit të ri pa asnjë lloj mosmarrëveshjeje". Kryeministri rus, nga ana e tij, premtoi se marrëveshja përkatëse siguron një furnizim të vazhdueshëm me gaz. Të dy kryeministrat premtuan ndërkaq një furnizim të përpiktë të gazit për në Europë gjatë këtij dimri. Nga ana tjetër Kryeministrja Timoshenko u zotua se Ukraina do të plotësonte të gjitha detyrimet e saj ndaj Rusisë. "Ukraina ka paguar dhe do të vazhdojë të paguajë në kohë. Vendi do të realizojë me përpikëri detyrimin e tij të transitit", tha ajo. Në gusht, Bashkimi Europian dhe institucionet ndërkombëtare të kredisë, i dhanë Ukrainës një hua prej 1.7 miliardë dollarësh që të kontribuonte për furnizimin me gaz të Europës, në këmbim të reformave në sektorin e gazit në vend. Në më shumë se një rast, Bashkimi Europian ka shtruar në tryezën e bisedimeve alternativa për të hequr dorë nga varësia ndaj Rusisë, në lidhje me energjinë. Nëpër territorin ukrainas kalon pjesa më e madhe e gazit që furnizon shtetet europiane. Problemet nisën në fund të vitit të shkuar kur Rusia dhe Ukraina nuk gjetën gjuhën e përbashkët lidhur me pagesat e prapambetura të Ukrainës, gjë që u pasua nga dështimi i nënshkrimit të termave për kontratën e re. Si rezultat, Rusia mbylli rubinetet e gazit për Ukrainën, por pa arritur furnizimin e shteteve të Europës. Pavarësisht garancive, furnizimi i Europës u ndërpre më 7 janar, fakt për të cilin palët bënin fajtore njëra-tjetrën. Ndërprerja e furnizimit shkaktoi mungesa të ndjeshme gazi për miliona europianë gjatë një dimri me temperatura tepër të ulëta, veçanërisht ata të Europës Lindore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›